Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Julian Shehu vlerësoi si shumë të rëndësishme dy ndeshjet miqësore që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, duke i cilësuar ato si prova të vlefshme në prag të angazhimeve të ardhshme zyrtare. Në konferencën për shtyp para dy takimeve, ai theksoi se skuadra duhet të përfitojë nga këto ndeshje për të konsoliduar identitetin e saj nën drejtimin e trajnerit të ri.
“Mendoj që Shqipëria ka kualitet. E rëndësishme është që sa herë të jem në fushë të jap maksimumin me ekipin. Trajneri ka idetë e veta për lojën. Nëse do jem para do bëj maksimumin. Çdo trajner kur vjen në ekip ka idetë e veta. Normalisht që mund të ketë ndryshime, është normale. Besoj se këto dy ndeshjet janë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë dhe Nations League. Janë dy teste shumë të rëndësishme për ne. Këto dy ndeshje janë të rëndësishme për të krijuar identitet. Çdo lojtar që është këtu e meriton të jetë në Kombëtare”, u shpreh Shehu.
Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e parë miqësore ndaj Izraelit më 3 qershor, ndërsa tri ditë më vonë do të përballet me Luksemburgun në një tjetër test përgatitor. Takimi ndaj Izraelit do të shënojë edhe debutimin zyrtar të trajnerit të ri të Shqipërisë, Rolando Maran në stolin kuqezi. Mesfushori Julian Shehu nënvizoi se ndryshimet në skuadër janë të natyrshme pas emërimit të trajnerit të ri, duke shtuar se çdo futbollist duhet të përshtatet me idetë dhe filozofinë e stafit teknik.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)