Historia frymëzuese e sportistit, golfisti pa këmbë dhe pa gishta që sfidon kufijtë e pasionit

37-vjeçari nga Kameruni, Issa Nlareb që jeton aktualisht në Francë, është një profesionist që luan me dy proteza poshtë gjunjëve dhe përdor një rrip për të lidhur shkopin e golfit me dorën e majtë.

16.04.2026. 22:59

Historia frymëzuese e sportistit, golfisti pa këmbë dhe pa gishta që sfidon kufijtë e pasionit

A është e mundur të luash golf pa këmbë dhe pothuajse pa duar? Përgjigjja është po, dhe emri që e dëshmon këtë është Issa Nlareb. 37-vjeçari nga Kameruni, që jeton aktualisht në Francë, është një profesionist që luan me dy proteza poshtë gjunjëve dhe përdor një rrip për të lidhur shkopin e golfit me dorën e majtë, e cila nuk ka gishta.

Historia e tij bëhet e kuptueshme vetëm kur e sheh në fushë. Pak ditë më parë, ai u paraqit në turneun Villa Paradiso Alps Open në Brianza, ku mori pjesë me ftesë speciale nga organizatorët. Me një qëndrim krenar dhe një vendosmëri të jashtëzakonshme, Issa të lë pa fjalë gjatë çdo goditjeje: ai lidh shkopin me dorën e majtë, bën provën dhe më pas godet topin që fluturon lart dhe larg.

Në vitin 2018, jeta e tij mori një kthesë dramatike pas një infeksioni të meningjitit bakterial, i shoqëruar me sepsë. Si pasojë, iu amputuan të dy këmbët poshtë gjurit, disa gishta të dorës së djathtë dhe të dorës së majtë. Vetëm një vit më parë, ai kishte fituar tre turne rajonalë në Afrikë dhe konsiderohej një nga shpresat më të mëdha të golfit në kontinent.

Sëmundja e goditi papritur në Egjipt, një natë para një gare. Nga një sportist në formë të shkëlqyer, përfundoi në spital me temperaturë të lartë dhe dhimbje të forta, madje edhe në koma. Diagnoza ishte e rëndë dhe pasojat, të pakthyeshme.

I lindur në Bafia dhe i rritur pa nënë që në moshë të vogël, Issa e zbuloi golfin rastësisht. Fillimisht mblidhte dhe shiste topa, më pas u bë ndihmës dhe më në fund zbuloi talentin e tij si lojtar. Në vitin 2009 u bë sportist profesionist.

Foto nga web

Pas amputimeve, periudha më e vështirë ishte rikthimi në jetë normale. Ai tregon se shpesh ëndërronte sikur kishte ende këmbët dhe luante golf, por zgjimi ishte i dhimbshëm. Megjithatë, dashuria për sportin dhe mbështetja e familjes e shtynë të mos dorëzohej. Edhe në momentet më të errëta, gjatë qëndrimit në spital, ai mendonte vetëm për golfin.

“Golfi më mbajti gjallë dhe më dha forcën për të luajtur sërish”, ka rrëfyer Issa. Sot, ai është kthyer në fushë, duke sfiduar çdo kufizim fizik. Edhe pse vazhdon të luajë në nivele të larta, Issa Nlareb aktualisht nuk ka sponsorë, duke e bërë historinë e tij edhe më të fortë: një shembull i rrallë i vullnetit, këmbënguljes dhe pasionit që nuk njeh kufij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)