Një paralajmërim alarmant për krizën energjetike globale ka ardhur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e cila sinjalizon pasoja të drejtpërdrejta për transportin ajror dhe ekonominë botërore.
Drejtori ekzekutiv i kësaj agjencie, Fatih Birol, deklaroi se Europa mund të ketë vetëm rreth gjashtë javë rezerva karburanti për avionët, nëse bllokimi i furnizimeve për shkak të luftës me Iranin vijon. Sipas tij, kjo situatë mund të çojë shumë shpejt në anulime fluturimesh në kontinent.
Birol e cilësoi krizën aktuale si “një nga më të mëdhatë energjetike që bota ka përjetuar ndonjëherë”, duke theksuar se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po pengon furnizimin me naftë, gaz dhe burime të tjera jetike. Ai paralajmëroi se ndikimi do të jetë i gjerë, duke përfshirë rritjen e çmimeve të karburanteve, energjisë elektrike dhe inflacionit global, shkruan AP.
Sipas tij, vendet më të goditura do të jenë ato në zhvillim, veçanërisht në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, por në fund askush nuk do të jetë imun ndaj kësaj krize. “Asnjë vend nuk do t’i shpëtojë ndikimit të saj”, u shpreh ai.
Në të njëjtën kohë, kompanitë ajrore kanë nisur të ndjejnë presionin e kostove në rritje. Disa prej tyre kanë paralajmëruar shkurtime fluturimesh, ndërsa të tjera kanë rritur çmimet e biletave. Nëse situata nuk stabilizohet, ekonomia globale mund të përballet me ngadalësim të rritjes apo edhe recesion.
Birol theksoi gjithashtu se dëmet në infrastrukturën energjetike në rajonin e Gjirit Persik janë të mëdha dhe mund të duhen deri në dy vite për rikthimin në nivelet para konfliktit, duke e bërë krizën edhe më të thellë dhe afatgjatë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)