Hapja e Ngushticës së Hormuzit pas arritjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Libanit bëri që çmimi i naftës të binte ndjeshëm në tregjet ndërkombëtare, me naftën e papërpunuar Brent që zbriti nën 100 dollarë për fuçi.
Ndryshimet në tregjet globale janë reflektuar edhe në Shqipëri, pasi Bordi i Transparencës është mbledhur në harkun kohor të më pak se 24 orëve për të ndryshuar çmimet me të cilat tregtohet karburanti në pompa.
Me vendimin e marrë mëngjesin e kësaj të shtune, Bordi ka ulur çmimin e naftës për herë të parë pas disa javësh nën 200 lekë për litër. Duke nisur nga ora 10:30 nafta do të shite me 197 lekë/litri, 13 lekë më pak sesa ditën e djeshme, kur shitej me 210 lekë për litër.
Ndërkohë çmimi i benzinës është ulur me 4 lekë, pasi do të tregtohet me 172 lekë/litri, teksa ditën e djeshme shitej me 176 lekë për litër.
Me vendimin e së shtunës Bordi i Transparencës i tërheq vëmendjen çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës se në rast të shkeljeve të konstatuara do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
VENDIMI:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 197 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 172 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 160 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 18 ora 10.30 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)