“Dora e ngritur mbi policinë, krim që do ndëshkohet”, Lamallari viziton në spital efektivët e lënduar në protestë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, vizitoi në Spitalin e Traumës dhe në QSUT, 5 efektivë të Policisë së Shtetit të plagosur në gjatë protestës së opozitës.

18.04.2026. 08:10

“Dora e ngritur mbi policinë, krim që do ndëshkohet”, Lamallari viziton në spital efektivët e lënduar në protestë

Pesë efektivë të policisë së shtetit, të cilët mbetën të plagosur gjatë protestës së shtatë kombëtare të opozitës mbrëmjen e djeshme, janë trajtuar me ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës dhe në QSUT.

Ata u vizituan edhe nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe drejtuesi i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, të cilët ju shprehën vlerësimin për punën e bërë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe shpërndarjen në kohë të turmës në momentin kur u godit me molotov Kryeministria.

Ndërkohë ministri Lamallari krah videos nga spitali që ka publikuar në rrjetet sociale shkruan se dhuna mbi uniformat blu është e patolerueshme dhe do të ndëshkohet me përgjigjen që Meriton.

“Dora që ngrihet mbi njerëzit me uniformë, ngrihet mbi ligjin, mbi qytetarin dhe mbi vetë shtetin. Sulmet me molotovë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit nuk janë protestë, por krim që do të marrë përgjigjen e merituar.”

Më herët, pak pas përfundimit të protestës që zgjati rreth 3 orë, Lamallari kishte përgëzuar policinë për ndalimin në kohë të “grupit të zjarrit” në protestë, që çoi në zbulimin e 45 shisheve me molotov, të pashpërthyer.

Ai shprehej ndër të tjera se Shqipëria nuk do të merret peng nga një pakicë që sipas tij nuk ngurron të përdorë të miturit për të djegur dhe për të fshehur dështimin e vet.

“Përgëzime Policisë së Shtetit për reagimin profesional, vetëpërmbajtjen dhe neutralizimin e menjëhershëm të molotovarëve të përdorur si mish për top për të djegur qytetin, për të nxirë vendin dhe për të rrezikuar jetën e efektivëve me uniformë.  Shqipëria nuk do të merret peng nga një pakicë që nuk ngurron të përdorë të miturit për të djegur dhe për të fshehur dështimin e vet. Mes atyre që ndërtojnë të ardhmen europiane të vendit dhe atyre që kërkojnë ta djegin atë, zgjedhja është tashmë e qartë nga mbarë shqiptarët”, shkruante Lamallari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)