Korrupsioni në Malajzi, 15 vite burg për ish-kryeministrin Najib Razak

Drejtues të lartë të qeverisë dhe bashkëpunëtorë të tyre përvetësuan mbi 4.1 miliardë euro nga fondi, duke i ricikluar përmes Shteteve të Bashkuara, Singaporit dhe Zvicrës.

26.12.2025. 22:54

Korrupsioni në Malajzi, 15 vite burg për ish-kryeministrin Najib Razak

Ish-kryeministri i Malajzisë, Najib Razak, është dënuar me 15 vite burg për korrupsion në lidhje me skandalin e madh financiar të fondit shtetëror të investimeve “1MDB”. Vendimi u dha këtë të premte nga Gjykata e Lartë, e cila e shpalli fajtor 72-vjeçarin për shpërdorim detyre dhe pastrim parash.

Sipas gjykatës, Najib është gjetur fajtor për katër akuza për abuzim me pushtetin dhe 21 akuza për pastrim parash, të lidhura me transferimin e mbi 647 milionë eurove në llogaritë e tij personale nga fondi shtetëror i investimeve.

Najib Razak i ka mohuar akuzat, duke pretenduar se paratë ishin një donacion politik nga jashtë, konkretisht nga Arabia Saudite, dhe se ai ishte mashtruar nga financierë të pandershëm, të udhëhequr nga Low Taek Jho. Ky i fundit konsiderohet si truri i skandalit dhe vijon të jetë në arrati.

Megjithatë, gjyqtari Collin Lawrence Sequerah e cilësoi versionin e mbrojtjes si “të pabesueshëm”, duke theksuar se katër letra që supozohej se vinin nga donatori saudit ishin të falsifikuara dhe se provat tregojnë qartë se fondet kishin origjinën nga shteti i Malajzisë. Gjykata hodhi poshtë argumentin se Najib ishte viktimë e pavetëdijshme e ish-zyrtarëve të “1MDB” dhe e Low Taek Jho.

Najib Razak ishte kryeministër i Malajzisë nga viti 2009 deri në 2018 dhe themeloi fondin “1MDB” menjëherë pas marrjes së detyrës. Sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, mes viteve 2009 dhe 2014, drejtues të lartë të qeverisë dhe bashkëpunëtorë të tyre përvetësuan mbi 4.1 miliardë euro nga fondi, duke i ricikluar përmes Shteteve të Bashkuara, Singaporit dhe Zvicrës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)