Sot përfundon traktati “New Start”, negociata urgjente për të shmangur “dimrin bërthamor”

Synohet shtyrja me 6 muaj e marrëveshjes së vitit 2010, që kufizon arsenalin e kokave bërthamore, raketave dhe bombarduesve. OKB kishte paralajmëruar: Moment i rëndë.

06.02.2026. 12:04

Sot përfundon traktati “New Start”, negociata urgjente për të shmangur “dimrin bërthamor”

Negociata të minutave të fundit, për të evituar rrezikun e “dimrit bërthamor”. Bisedimet urgjente kanë nisur ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë rreth zgjatjes për gjashtë muaj të traktatit “New Start”, marrëveshja e fundit e mbetur në fuqi për kontrollin e armëve bërthamore. Kombet e Bashkuara kishin paralajmëruar se bëhet fjalë për një “moment të rëndë” për paqen globale, ndërsa Kina ka refuzuar t’i bashkohet traktatit, siç kishte kërkuar presidenti amerikan Donald Trump.

Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2010 nga presidenti i atëhershëm rus Dmitry Medvedev, i cili sot paralajmëron se “dimri po afron” dhe nga presidenti amerikan Barack Obama. Traktati kufizonte secilën palë që të zotëronte maksimalisht 1,550 koka bërthamore dhe jo më shumë se 700 raketa dhe bombardues të vendosur, e gati për përdorim. Fillimisht ishte parashikuar që ttraktati të skadonte në vitin 2021, por u zgjat edhe për pesë vite të tjera.

Me përfundimin e afatit, tashmë jemi në një realitet të ri: për herë të parë nga viti 1972, SHBA dhe Rusia nuk kanë një marrëveshje që kufizon forcat bërthamore strategjike. Deri në orët e fundit, çdo mundësi për zgjatje apo rinovim të traktatit “New Start” dukej e pamundur. Kjo nënkupton se për herë të parë pas më tepër se gjysmë shekulli nuk do të ekzistojë asnjë kufi mbi arsenalet bërthamore të dy fuqive më të mëdha atomike në botë. Perspektiva e një gare të pakufizuar armatimesh bërthamore është bërë reale.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka deklaruar se skadimi i traktatit “shënon një moment të rëndë për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, duke u bërë thirrje Uashingtonit dhe Moskës të arrijnë shpejt një marrëveshje të re. Shpresa u rindez vetëm në orët e para të mëngjesit në SHBA, kur portali investigativ amerikan “Axios” raportoi se një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Moskës për të ruajtur kufizimet e armëve bërthamore edhe për gjashtë muaj të tjerë është pranë finalizimit.

Sipas tre burimeve, traktati do të skadojë formalisht, por palët kanë rënë dakord të veprojnë “në mirëbesim” dhe të nisin diskutime për mënyrën se si marrëveshja mund të përditësohet. Ky konsensus paraprak është arritur në margjinat e bisedimeve për Ukrainën, të mbajtura në Abu Dhabi. Një konfirmim i pjesshëm erdhi më vonë nga Komanda Europiane e Ushtrisë Amerikane, e cila njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Federata Ruse kanë rënë dakord të rivendosin dialogun ushtarak në nivel të lartë.

Ky kanal komunikimi kishte qenë i pezulluar që nga vjeshta e vitit 2021, pak para fillimit të konfliktit në Ukrainë. Qëllimi i dialogut është shmangia e keqvlerësimeve dhe parandalimi i një përshkallëzimi të paqëllimshëm mes dy palëve. Vitin e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin kishte shprehur gatishmërinë për të respektuar kufizimet e traktatit edhe për një vit tjetër, nëse SHBA do të bënte të njëjtën gjë. Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump e refuzoi këtë zgjatje, duke vendosur si kusht përfshirjen e Kinës në marrëveshje. Pekini e hodhi poshtë këtë kërkesë, duke argumentuar se arsenali bërthamor kinez nuk është i krahasueshëm me atë të SHBA-së dhe Rusisë.

Kina deklaron se disponon rreth 600 koka bërthamore, kundrejt rreth 4 mijë që zotërojnë secila nga dy superfuqitë. Orët e fundit, Putin kishte diskutuar për skadimin e traktatit në një bisedë telefonike me presidentin kinez Xi Jinping, duke premtuar se Rusia do të veprojë “në mënyrë të matur dhe të përgjegjshme”. Ministria e Jashtme ruse ka deklaruar se, në rrethanat aktuale, palët e traktatit nuk janë më të detyruara nga dispozitat e tij dhe janë të lira të vendosin për hapat e ardhshëm.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)