Një 21-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali pasi u kap duke transportuar 19 kilogramë marihuanë, të cilën dyshohet se e kishte sjellë nga Tajlanda drejt territorit italian. Sipas mediave italiane, i riu mbërriti në aeroportin e Malpensës në Milano me një fluturim nga Bangkoku, ndërsa valixhja e tij ngjalli menjëherë dyshime tek autoritetet për shkak të peshës dhe mënyrës së paketimit.
Gjatë kontrollit u konstatuan blloqe të shumta marihuane të ndara dhe të paketuara, të fshehura në bagazh. Megjithatë, policia vendosi të mos ndërhynte menjëherë në aeroport, por të ndiqte të riun për të zbuluar personat që prisnin ngarkesën dhe destinacionin final të drogës.
21-vjeçari u mbajt nën vëzhgim deri në zonën e Oderzos, në provincën e Trevisos, ku dyshohet se do të kryhej dorëzimi i lëndës narkotike. Sipas hetimeve, shqiptarit i ishte vënë në dispozicion një furgon me dy persona të tjerë, ndërsa më pas ai u takua edhe me një banor të zonës, i shoqëruar nga një mik.
Operacioni u finalizua në momentin kur valixhja me drogë u transferua në automjetin e një 30-vjeçari. Në atë çast ndërhynë forcat e policisë, të cilat arrestuan shqiptarin dhe personat e tjerë të përfshirë, ndërsa 19 kilogramët e marihuanës u sekuestruan si provë materiale.
Pas seancës paraprake, gjykata vendosi që 21-vjeçari shqiptar të mbahet në burg. Një nga italianët e arrestuar u la në arrest shtëpie, ndërsa personi tjetër u lirua për mungesë provash mbi përfshirjen në trafikimin e drogës.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)