Kombëtarja e Francës ka shpallur që në mesin e majit listën përfundimtare me 26 futbollistët e thirrur për Kupën e Botës 2026, pa kaluar më parë në një listë paraprake, siç kanë bërë shumica e përfaqësueseve të tjera. Trajneri Didier Deschamps ka vendosur të publikojë menjëherë listën zyrtare, duke surprizuar me disa mungesa të bujshme.
Mes tyre janë Eduardo Camavinga i Real Madrid, Khephren Thuram dhe Pierre Kalulu nga Juventusi, si edhe Randal Kolo Muani të Tottenham. Gjithashtu, mes të përjashtuarve të mëdhenj është edhe Antoine Griezmann i Atletico Madrid. Franca konsiderohet një nga skuadrat favorite për të fituar Kupën e Botës, krahas Spanjës dhe Argjentinës. Pika më e fortë e “gjelave” mbetet sulmi, ku nuk mungojnë yjet më të mëdhenj të futbollit europian.
Portierët
Deschamps ka zgjedhur tre portierë për turneun. Mike Maignan i Milanit, Brice Samba i Rennes dhe Robin Rissier i Lens. Surpriza është përfshirja e 21-vjeçarit Rissier, i cili nuk ishte thirrur më parë nga Franca, por u preferua ndaj emrave si Areola, Butez dhe veçanërisht Chevalier, i cili konsiderohej favorit.
Mbrojtja
Në repartin e mbrojtjes nuk pati shumë dilema, megjithatë jashtë mbeti Pierre Kalulu, aktualisht pjesë e Juventusit. Ai kishte luajtur vetëm tre ndeshje me kombëtaren dhe u la jashtë për t’i hapur rrugë emrave të konsoliduar si Koundé dhe Saliba.
Mesfusha
Në mesfushë Deschamps ka zgjedhur më pak lojtarë, për shkak të numrit të madh të sulmuesve që ka në dispozicion. Jashtë mbeti Camavinga, ndërsa në listën me 5 futbollistë janë përfshirë shoku i tij te Reali, Tchouameni, teksa spikat rikthimi i N’Golo Kanté. Po ashtu nuk është grumbulluar as Khephren Thuram i Juventusit, ndërkohë që janë thirrur edhe dy mesfushorë të Serie A, Adrien Rabiot dhe Manu Koné.
“Luksi” në sulm
Franca do të ketë një prej reparteve sulmuese më të frikshëm të Botërorit 2026. Deschamps do të ketë në dispozicion yje si Mbappé, Dembélé dhe Olise, ndërsa nga Serie A është grumbulluar edhe Marcus Thuram i Interit. Ndërkohë, Kolo Muani mbeti jashtë, ndërsa në listë u përfshi Mateta.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)