FIFA i bllokon merkaton Tiranës, bardheblutë kanë humbur gjashtë çështje ndaj ish-lojtarëve

Shkak janë bërë detyrimet e pashlyera ndaj ish-futbollistëve dhe ish-zyrtarëve të klubit, të cilët kanë fituar gjyqet kundër bardhebluve në organin më të lartë të futbollit botëror.

14.05.2026. 17:27

FIFA i bllokon merkaton Tiranës, bardheblutë kanë humbur gjashtë çështje ndaj ish-lojtarëve

Festa për mbijetesën në elitë, nuk u zbehu problemet e vjetra. Tirana po përballet me një situatë të rëndë financiare dhe sportive, pasi FIFA ka vendosur t’i bllokojë merkaton për tre sesionet e ardhshme të transferimeve. Shkak janë bërë detyrimet e pashlyera ndaj ish-futbollistëve dhe ish-zyrtarëve të klubit, të cilët kanë fituar gjyqet kundër bardhebluve në organin më të lartë të futbollit botëror.

Sipas vendimeve të fundit të FIFA-s, klubi kryeqytetas ka humbur gjithsej gjashtë procese gjyqësore që lidhen me paga dhe detyrime të papaguara. Situata vjen në një moment të vështirë për Tiranën, e cila vetëm në javën e fundit të kampionatit arriti të sigurojë mbijetesën në Kategorinë Superiore. Me këtë vendim, bardheblutë nuk do të kenë të drejtë të regjistrojnë lojtarë të rinj deri në shlyerjen e plotë të borxheve ndaj ish-punonjësve të klubit.

Çdo afrim i mundshëm në merkato mbetet i bllokuar deri në përmbushjen e detyrimeve financiare. Burime pranë FIFA-s bëjnë me dije se një pjesë e vendimeve janë marrë gjatë muajve të fundit, ndërsa vetëm së fundmi klubit i janë shtuar edhe katër çështje të tjera të humbura, duke rënduar edhe më shumë situatën financiare të Tiranës. Deri tani nuk janë bërë publikë emrat e personave që kanë fituar gjyqet ndaj klubit, ndërsa pritet që drejtuesit bardheblu të reagojnë mbi masat që do të ndërmerren për zgjidhjen e krizës.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)