Sarri për ndeshjen me Romën: Po u luajt të hënën vij, të dielën jo

Trajneri italian shkoi edhe më tej, duke deklaruar se po të ishte president i klubit, nuk do ta dërgonte fare ekipin në fushë nëse ndeshja zhvillohet në orarin e propozuar.

Burimi: Sportmediaset

14.05.2026. 08:21

Sarri për ndeshjen me Romën: Po u luajt të hënën vij, të dielën jo

Trajneri i Lazios, Maurizio Sarri ka reaguar me tone të ashpra pas humbjes në finalen e Kupës së Italisë ndaj Interit, duke shprehur jo vetëm zhgënjimin për rezultatin, por edhe zemërimin për kaosin rreth datës dhe orarit të derbit me Romën.

Derbi i kryeqytetit është kërkuar të luhet të hënën në mbrëmje nga prefekti i Romës, për të shmangur përplasjen me turneun e tenisit që zhvillohet në qytet.

Megjithatë, Liga e Serisë A insiston që sfida të luhet të dielën në orën 12:30, në të njëjtën kohë me ndeshjet e tjera të skuadrave që luftojnë për një vend në Champions League.

Kjo situatë ka acaruar ndjeshëm Sarrin, i cili nuk i kurseu kritikat ndaj organizatorëve.

“Ndjesia që kam? Ndjesia është që të hënën vij, të dielën në orën 12:30 nuk vij. Në atë orë të luajnë ata,” deklaroi trajneri bardhekaltër.

Sarri fajësoi drejtpërdrejt Ligën për konfuzionin e krijuar, duke e cilësuar të papranueshme vendosjen e një ndeshjeje kaq të rëndësishme në atë orar.

“Rrëmuja vjen nga një sërë gabimesh të bëra nga Liga. Prefekti ishte i qartë, shpresojmë të jetë ajo data,” u shpreh ai.

Trajneri italian shkoi edhe më tej, duke deklaruar se po të ishte president i klubit, nuk do ta dërgonte fare ekipin në fushë nëse ndeshja zhvillohet në orarin e propozuar.

“Ka skuadra që luajnë për Champions League, që vlen 80 milionë euro, dhe luhet në 12:30? Ky nuk është futboll!”, përfundoi Sarri me tone të forta.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)