Derbi i Romës, Prefektura ndryshon datën dhe orën, Liga Serie A kërcënon me padi

Liga argumenton se ndryshimi i datës prish rregullin e luajtjes së ndeshjeve në fund të sezonit në të njëjtën orë.

Burimi: Sportmediaset

13.05.2026. 07:37

Derbi i Romës, Prefektura ndryshon datën dhe orën, Liga Serie A kërcënon me padi

Një debat i fortë ka shpërthyer në Itali pas vendimit të Prefekturës së Romës për të shtyrë derbin mes Romës dhe Lazios për më 18 maj 2026 në orën 20:45.

Vendimi u mor për arsye sigurie, pasi në të njëjtën periudhë në kompleksin sportiv “Foro Italico” po zhvillohen “BNL d'Italia”, një nga turnetë më të rëndësishme të tenisit në botë.

Autoritetet italiane argumentojnë se organizimi paralel i dy ngjarjeve të mëdha sportive në të njëjtën zonë të Romës mund të krijojë probleme serioze me sigurinë, trafikun dhe menaxhimin e tifozëve.

Megjithatë, Lega Serie A reagoi ashpër kundër vendimit, duke kërkuar anulimin e shtyrjes dhe paralajmëruar se mund ta çojë çështjen në gjykatë.

Liga argumenton se ndryshimi i datës prish rregullin e luajtjes së ndeshjeve në fund të sezonit në të njëjtën orë, për ekipet që luftojnë për të njëjtat objektiva. Për shkak të derbit, rrezikojnë të shtyhen edhe katër ndeshje të tjera të rëndësishme për garën e Champions League.

Sipas Ligës, vendimi prek qindra mijëra tifozë, klubet, televizionet dhe organizimin e kampionatit, ndërsa krijon probleme logjistike dhe ekonomike.

Ministri italian i Sportit, Andrea Abodi, deklaroi se përplasja tregon mungesë koordinimi mes institucioneve sportive dhe autoriteteve të sigurisë, duke shtuar se interesat e tifozëve duhet të jenë prioritet.

Ndërkohë, presidenti i federatës italiane të tenisit, Angelo Binaghi, përjashtoi mundësinë e shtyrjes së finales së turneut të tenisit për t’i hapur rrugë derbit.

Aktualisht mbetet ende e paqartë se kur do të zhvillohen përfundimisht disa nga ndeshjet e javës së 37-të të Serie A, ndërsa tensioni mes autoriteteve dhe Ligës së Futbollit vazhdon të rritet.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)