Alarm për stadiumin e ndeshjes hapëse të Botërorit 2026: “Azteca” po fundoset, NASA po monitoron situatën

Mexico City konsiderohet një nga qytetet që po fundoset më shpejt në botë, kryesisht sepse është ndërtuar mbi një shtrat të lashtë liqeni. Pjesë të qytetit po ulen me afro 25 centimetra në vit.

12.05.2026. 19:34

Alarm për stadiumin e ndeshjes hapëse të Botërorit 2026: “Azteca” po fundoset, NASA po monitoron situatën

Po rriten shqetësimet se stadiumi legjendar “Azteca” në Mexico City, i cili do të presë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës, po fundoset. Tifozët kanë publikuar pamje alarmante ku shihen copa betoni që shkëputen nga tribunat. Situata ka tërhequr edhe vëmendjen e NASA-s, e cila po monitoron zonën me teknologji të avancuar satelitore.

Stadiumi “Estadio Azteca”, me një kapacitet prej 72,766 vendesh, është hapur për herë të parë në vitin 1966, konsiderohet një nga impiantet më ikonike të futbollit në botë. Ai ka pritur finalet e Kupës së Botës në vitet 1970 dhe 1986 dhe këtë verë do të jetë mikpritës i pesë ndeshjeve të turneut. Mes tyre është edhe ndeshja hapëse ndërmjet Meksikës dhe Afrikës së Jugut më 11 qershor, si dhe një përballje e mundshme në fazën e 1/16-ave mes Anglisë dhe vendit organizator.

Megjithatë, vetëm një muaj para nisjes së turneut, shqetësimet për sigurinë janë shtuar ndjeshëm. Video të publikuara nga tifozët gjatë çerekfinales së Liga MX mes Club America dhe Pumas UNAM treguan fragmente betoni të shkëputura nga tribunat e stadiumit, përfshirë edhe zonat e rinovuara së fundmi për Kupën e Botës.

Një tifoz u filmua duke mbajtur në dorë një copë të madhe betoni të rënë nga tribuna, duke thënë me ironi: “Kam një suvenir nga ndeshja”. Fatmirësisht, nuk është raportuar për persona të lënduar. Rinovimet në stadium kanë përfshirë fasadën, hyrjet, dhomat e zhveshjes, ndriçimin dhe zonat VIP. Por incidentet nuk kanë munguar. Në fund të marsit, gjatë ndeshjes së rihapjes mes Meksikës dhe Portugalisë, një tifoz humbi jetën pasi ra nga një lozhë e nivelit të dytë.

Problemet nuk ndalen vetëm te stadiumi. Në mars, pranë impiantit u krijua një gropë e madhe në rrugë, në të cilën ngeci një kamion i Coca-Cola-s, sponsor i Kupës së Botës. Mexico City konsiderohet një nga qytetet që po fundoset më shpejt në botë, kryesisht sepse është ndërtuar mbi një shtrat të lashtë liqeni. Pjesë të qytetit po ulen me afro 25 centimetra në vit, ndërsa aeroporti ndërkombëtar zhvendoset rreth 2 centimetra çdo muaj.

Fundosja ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë: ndërtesa të anuara, tubacione të dëmtuara dhe deformime në rrugë e linja metroje. Madje, monumentit të famshëm “Engjëlli i Pavarësisë” i janë shtuar 14 shkallë për shkak të uljes së nivelit të tokës. Për këtë arsye, NASA po monitoron vazhdimisht qytetin dhe stadiumin “Azteca” përmes satelitit të avancuar NISAR.

Ai mund të zbulojë lëvizje minimale të sipërfaqes së Tokës, edhe përmes reve apo vegjetacionit të dendur. Deri tani nuk është konfirmuar nëse dëmtimet në stadium lidhen drejtpërdrejt me fundosjen e tokës apo me probleme të tjera ndërtimore. Autoritetet lokale dhe drejtuesit e stadiumit nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)