NBA në shok, humb jetën basketbollisti 29-vjeçar

Deri tani, shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë publik. Megjithatë, mediat amerikane raportojnë se autoritetet po hetojnë mundësinë e një mbidoze.

Burimi: Sportmediaset

13.05.2026. 07:51

NBA në shok, humb jetën basketbollisti 29-vjeçar

Bota e basketbollit është tronditur nga lajmi për vdekjen e papritur të Brandon Clarke, lojtarit të ekipit Memphis Grizzlies, i cili ka ndërruar jetë në moshën 29-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga klubi amerikan, i cili në një deklaratë zyrtare e përshkroi Clarke si “një shok skuadre të jashtëzakonshëm dhe një person të mrekullueshëm”, duke shprehur ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e tij.

Deri tani, shkaku zyrtar i vdekjes nuk është bërë publik. Megjithatë, mediat amerikane raportojnë se autoritetet po hetojnë mundësinë e një mbidoze, pasi basketbollisti u gjet pa ndjenja në një banesë në zonën e “San Fernando Valley” në Los Angeles. Sipas raportimeve, në vendngjarje janë gjetur edhe materiale të lidhura me drogën, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Vetëm pak javë më parë, Clarke ishte arrestuar në Arkansas për posedim dhe trafikim të një substance të kontrolluar, si dhe për shkelje të tjera gjatë drejtimit të automjetit.

Clarke u zgjodh si numri 21 në Draftin e NBA-së në vitin 2019 dhe e kaloi gjithë karrierën e tij në Memphis. Ai u bë menjëherë një nga talentet më premtues të ligës, duke u përfshirë në ekipin më të mirë të debutuesve të NBA-së në vitin 2020.

Karriera e tij, megjithatë, u godit rëndë nga dëmtimet në vitet e fundit. Probleme serioze në tendinën e Akilit, gju dhe pulpën e këmbës e kufizuan ndjeshëm aktivizimin e tij në sezonet e fundit.

Pas lajmit për ndarjen nga jeta të Clarke, reagime të shumta kanë ardhur nga NBA, ish-shokë skuadre dhe tifozë, të cilët e kanë kujtuar si një sportist të talentuar dhe një person shumë të dashur jashtë parketit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)