“Ka trajnerë më të kualifikuar”, Casillas kundër rikthimit të Mourinhos: Nuk e dua te Reali

Marrëdhënia mes ish-kapitenit dhe trajnerit ka qenë shpesh e tensionuar gjatë periudhës së parë të portugezit te Real Madrid.

13.05.2026. 17:35

“Ka trajnerë më të kualifikuar”, Casillas kundër rikthimit të Mourinhos: Nuk e dua te Reali

Ish-portieri legjendar i Real Madridit, Iker Casillas ka dalë hapur kundër një rikthimi të mundshëm të José Mourinho në stolin e klubit madrilen. Pas rezultateve zhgënjyese nga eksperimentet me Xabi Alonso dhe Arbeloa, “Los Blancos” janë në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa emri i Mourinhos është lidhur sërish me klubin. Madje, sipas mediave spanjolle, presidenti Florentino Pérez do ta mirëpriste rikthimin e “Special One” në “Santiago Bernabéu”.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord. Casillas, një nga ikonat më të mëdha të Real Madridit, ka shprehur publikisht rezervat e tij për trajnerin portugez. “Nuk kam asnjë problem me Mourinhon. Më duket një profesionist i madh. Por nuk e dua te Real Madrid. Besoj se ka trajnerë të tjerë më të kualifikuar për të drejtuar klubin e jetës sime. Është thjesht mendimi im personal”, shkroi ish-portieri në rrjetet sociale.

Marrëdhënia mes Casillas dhe Mourinhos ka qenë shpesh e tensionuar gjatë periudhës së parë të portugezit te Real Madrid. Vetë ish-numri 1 ka pranuar më herët se raporti mes tyre ishte “dashuri dhe urrejtje”. “Me kalimin e kohës gjithçka ndryshon. E kujtoj si një ish-të dashur nga koha kur isha 20 vjeç. Sot e shoh ndryshe. Pavarësisht konflikteve, ajo ishte një periudhë e bukur, por Real Madrid vjen mbi gjithçka. Duhej të kisha folur me të në zyrë dhe pendohem që nuk e bëra”, kishte deklaruar Casillas disa muaj më parë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)