Turi çiklistik i Shqipërisë, 5 ditë bllokime rrugësh, zbulohet itenerari

Aktiviteti sportiv ndërkombëtar do të zhvillohet nga data 18 deri më 22 maj 2026 dhe do të përfshijë 5 etapa në qytete dhe akse të ndryshme të vendit.

15.05.2026. 13:51

Turi çiklistik i Shqipërisë, 5 ditë bllokime rrugësh, zbulohet itenerari

Për pesë ditë me radhë, disa nga akset kryesore rrugore në vend do të kenë bllokime dhe kufizime të përkohshme të qarkullimit për shkak të zhvillimit të Turit të 83-të Çiklistik të Shqipërisë.

Aktiviteti sportiv ndërkombëtar do të zhvillohet nga data 18 deri më 22 maj 2026 dhe do të përfshijë 5 etapa në qytete dhe akse të ndryshme të vendit. Në garë do të marrin pjesë skuadra çiklistike nga Shqipëria, Ballkani dhe vende të tjera të Europës.

Për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të posaçëm masash, ndërsa shërbimet e Policisë Rrugore do të angazhohen në eskortimin e çiklistëve dhe menaxhimin e trafikut përgjatë itinerarit.

Sipas njoftimit, bllokimet e rrugëve do të nisin çdo ditë në orën 12:00, përveç etapës së fundit më 22 maj, ku kufizimet do të fillojnë në orën 10:00.

Në ditën e parë, më 18 maj, do të ketë kufizime në disa rrugë kryesore të Tiranës, përfshirë Sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Zogu i Parë”, rrugën “Myslym Shyri”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Unazën e Madhe dhe më pas aksi Tiranë–Thumanë–Milot–Rrëshen–Lezhë.

Më 19 maj, itinerari do të përfshijë segmentin Lezhë–Vorë–Golem–Rrogozhinë, me finish në Elbasan, ndërsa më 20 maj gara do të kalojë nga Elbasani drejt Belshit, Kuçovës, Lushnjës dhe Fierit për të përfunduar në Vlorë.

Etapa e katërt, më 21 maj, do të zhvillohet në jug të vendit, në aksin Vlorë–Tuneli i Llogarasë–Himarë–Kuç–Kotë–Vlorë, ndërsa etapa përmbyllëse më 22 maj do të nisë nga Vlora dhe do të përfundojë në Fier.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe të përdorin rrugë alternative në segmentet ku do të ketë bllokime të përkohshme, për të shmangur vonesat dhe rëndimin e trafikut gjatë zhvillimit të aktivitetit sportiv.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)