Policia e Shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza kanë çelur për të 15-in vit radhazi fushatën e përbashkët për monitorimin ajror të territorit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në vend. Ceremonia u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku delegacioni italian u prit nga Drejtori i Përgjithshëm, Drejtues Madhor Skënder Hita.
Delegacioni italian kryesohej nga Lorenzo Bucossi, Drejtor i Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë. Gjatë fjalës së tij, Hita e cilësoi bashkëpunimin me partnerët italianë si një model strategjik të konsoliduar, i cili ka sjellë rezultate konkrete në identifikimin dhe parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike.
“Lufta kundër narkotikëve është edhe betejë kundër dëmtimit të së ardhmes së shoqërisë sonë”, u shpreh drejtori i Policisë. Sipas njoftimit, fushata “Monitorimi Ajror 2026” vjen me risi, duke përfshirë shtimin e numrit të fluturimeve dhe orëve të vëzhgimit, angazhimin e më shumë personeli dhe përdorimin e teknologjive të avancuara për kontrollin ajror të territorit.
Nga ana e tij, Lorenzo Bucossi vlerësoi bashkëpunimin mes dy institucioneve, duke e cilësuar një traditë model të partneritetit policor. Ai gjithashtu ftoi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për një vizitë zyrtare në Itali, si shenjë e vullnetit për forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Në ceremoni foli edhe Gjeneral Brigade, Franzese, i cili u shpreh i kënaqur me rezultatet e arritura ndër vite, duke theksuar se Policia e Shtetit ka reaguar me shpejtësi në çdo rast, duke verifikuar koordinatat e raportuara nga Guardia di Finanza dhe duke ndërhyrë për asgjësimin e parcelave me bimë narkotike. Fushata do të vijojë gjatë muajve në vijim në të gjithë territorin e Shqipërisë, me fokus zonat me risk të lartë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)