“Balluku, e nënkuptuar në çdo paragraf”, Berisha pas votimit të rezolutës së integrimit: Asnjë vlerësim për qeverinë

Kreu i PD deklaroi se miratimi i rezolutës tregon qëndrimin konsekuent të opozitës ndaj integrimit, duke e cilësuar atë si një proces që duhet të ecë vetëm përmes performancës dhe standardeve të kërkuara nga BE.

15.05.2026. 14:04

“Balluku, e nënkuptuar në çdo paragraf”, Berisha pas votimit të rezolutës së integrimit: Asnjë vlerësim për qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar rezolutën e miratuar më 14 maj në Kuvend për procesin e integrimit europian, e cila u votua edhe nga opozita, duke bashkuar votat me Partinë Socialiste. Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se dokumenti i miratuar nuk përmban asnjë vlerësim për punën e qeverisë apo të Parlamentit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

I pyetur pse në rezolutë nuk përmendet emri i Belinda Ballukut, të cilën PD e ka cilësuar më herët si një pengesë për integrimin, Berisha u shpreh se përfshirja e saj do ta bënte të pamundur miratimin e dokumentit. Sipas tij, figura si Balluku apo Olta Xhaçka janë “të nënkuptuara” në përmbajtjen e rezolutës.

“Nëse do përmendej Balluku, rezolutë nuk do të kishte. Ato janë të nënkuptuara në çdo paragraf. Nuk ka as vlerësimin më të vogël për punën e qeverisë dhe parlamentit në procesin e integrimit”, deklaroi Berisha. Ai shtoi se në dokument janë përfshirë kërkesa të qarta ndaj qeverisë për zbatimin e vendimeve të institucioneve dhe forcimin e rolit të Kuvendit, duke nënvizuar se këto kërkesa janë vendosur pikërisht sepse, sipas tij, qeveria nuk ka arritur të përmbushë standardet.

Berisha theksoi gjithashtu se PD mbështet procesin e integrimit europian të Shqipërisë, por vetëm nëse ai bazohet në meritë dhe në plotësimin e kritereve. “Ne e mbështesim integrimin, por Shqipëria përveç kriterit gjeopolitik nuk plotëson kriteret e tjera. Rezoluta është e mbushur me kërkesa dhe evidenton problematika të mëdha”, u shpreh ai.

Në fund, kreu i PD deklaroi se miratimi i rezolutës tregon qëndrimin konsekuent të opozitës ndaj integrimit, duke e cilësuar atë si një proces që duhet të ecë vetëm përmes performancës dhe standardeve të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)