“Duam të ecim para me AI”, Rama në Estoni: Faleminderit që ndani eksperiencën tuaj

Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria synon të ecë përpara me reforma dhe teknologji moderne në rrugën drejt vitit 2030 dhe anëtarësimit në BE.

15.05.2026. 11:34

“Duam të ecim para me AI”, Rama në Estoni: Faleminderit që ndani eksperiencën tuaj

Në kuadër të vizitës zyrtare në Estoni, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u theksua bashkëpunimi mes dy vendeve dhe mbështetja për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Rama vlerësoi Estoninë si një model të suksesshëm të transformimit dixhital dhe inovacionit, duke e cilësuar “kërcimin e tigrit” estonez si një shembull frymëzues për zhvillimin në epokën e inteligjencës artificiale.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria synon të ecë përpara me reforma dhe teknologji moderne në rrugën drejt vitit 2030 dhe anëtarësimit në BE.

“Faleminderit që ndatë me mua se si ia dolët me sukses për të bërë atë që ju e quani “kërcimi i tigrit” në ecjen përpara duke iu përgjigjur sfidave të epokës së Inteligjencës Artificiale. Nuk kërkojmë vetëm bashkëpunim, por edhe atë udhërrëfyes estonez. Jemi mirënjohës që na thatë se jeni gati të prisni njerëzit tanë. Ne duam të sigurohemi që edhe rrugëtimi ynë në 2030 të shtrohet me të njëjtën novacion që e ka bërë Estoninë markë globale. Ne synojmë të ecim përpara me Inteligjencën Artificiale. Estonia dhe Shqipëria janë shumë të bashkuara, jo vetëm nga NATO, por edhe nga një refuzim i palëkundur për të mos lënë fuqitë e huaja të minojnë mënyrën tonë demokratike të jetesës”, tha Rama.

Nga ana e tij, Michal ritheksoi mbështetjen e Estonisë për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe për rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke inkurajuar vijimin e reformave. Ai nënvizoi se nëse Shqipëria përmbush angazhimet e saj, edhe BE do të ecë përpara me procesin e integrimit.

Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin në fushën e inovacionit dhe teknologjisë, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për integrimin europian të Shqipërisë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)