Pas Gjermanisë, Rama niset drejt Estonisë, zbardhet agjenda

Rama është i ftuar në panelin hapës të konferencës, me temë “Një Urë mbi Ujëra të Trazuara: Kapitulli i Ardhshëm i Bashkëpunimit Transatlantik”.

15.05.2026. 10:26

Pas Gjermanisë, Rama niset drejt Estonisë, zbardhet agjenda

Kryeministri Edi Rama zhvillon sot një vizitë pune në Tallinn, ku merr pjesë në Konferenca Lennart Meri 2026, një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare të fokusuar në politikën e jashtme, sigurinë dhe sfidat gjeopolitike globale. Edicioni i këtij viti zhvillohet nën moton “Fati i favorizon të guximshmit”.

Rama është i ftuar në panelin hapës të konferencës, me temë “Një Urë mbi Ujëra të Trazuara: Kapitulli i Ardhshëm i Bashkëpunimit Transatlantik”, ku do të diskutohet mbi të ardhmen e partneritetit mes Europës dhe SHBA-ve, forcimin e shtyllës europiane të NATO-s, si dhe sfidat e reja të sigurisë globale dhe rolin e Ukrainës në arkitekturën europiane të sigurisë.

Në kuadër të kësaj vizite, Kryeministri shqiptar do të zhvillojë një takim dypalësh me homologun estonez Kristen Michal në Shtëpinë Stenbock, i cili do të pasohet nga një takim mes delegacioneve të dy vendeve.

Gjithashtu, Rama do të pritet edhe nga Presidenti i Estonisë, Alar Karis, në zyrën e tij në Tallinn.

Pjesë e agjendës së vizitës është edhe ndalesa në Qendrën e Ekselencës për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese të NATO-s, ku delegacioni shqiptar do të njihet nga afër me aktivitetin dhe rolin e qendrës në forcimin e mbrojtjes kibernetike në kuadër të NATO-s.

Kryeministri Rama do të vizitojë gjithashtu Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe, si dhe e-Estonia Briefing Centre, një nga qendrat më të njohura të inovacionit dhe qeverisjes digjitale në Europë.

Në përfundim të vizitës, ai pritet të japë edhe një intervistë për të përditshmen estoneze “Postimees”, ku do të flasë për perspektivën europiane të Shqipërisë dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Etiketat:

Komente (0)