SPAK, tre persona të pandehur për atentatin e dështuar ndaj Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij

Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka dyshohen si bashkëpunëtorë në organizimin e një atentati të mbetur në tentativë në fshatin Rranxë.

15.05.2026. 10:40

SPAK, tre persona të pandehur për atentatin e dështuar ndaj Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë zyrtarisht të pandehur Izmir Sakicën, Samuel Troshanin dhe Franko Lekën, të dyshuar si bashkëpunëtorë në organizimin e një atentati ndaj Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij. Sipas SPAK, atentati nuk u realizua, pasi sapo grupi i armatosur ka hyrë në fshatin Rranxë, në Njësinë Administrative Bushat, ata janë qëlluar me armë zjarri nga vetë Prendi.

Për tre të pandehurit rëndojnë akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese”, e mbetur në tentativë, “sigurim i kushteve për të kryer vrasje”, si dhe “mbajtje pa leje e armëve”, që sipas organit të akuzës janë kryer në kuadër të një grupi kriminal. SPAK bën me dije se Troshani, Sakica dhe Leka, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë udhëtuar të armatosur drejt fshatit Rranxë me mjete të blinduara.

Sipas prokurorisë, ekzistojnë prova që ngrenë dyshime të arsyeshme se qëllimi i tyre ishte eliminimi fizik i Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij. Në momentin kur automjetet kanë kaluar në zonë, SPAK thotë se është hapur zjarr nga Prendi dhe ka pasur shkëmbim të shtënash, ku nuk raportohet për persona të plagosur, por vetëm për dëmtime të mjeteve.

Një prej automjeteve të përdorura nga grupi rezulton të ketë pësuar dëmtime nga të shtënat. Mjeti ishte i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja, të cilat sipas hetimeve nuk i përkisnin automjetit. Ndërkohë, SPAK njofton se janë kryer kontrolle në disa banesa dhe ambiente në qytetin e Shkodrës, të dyshuara si vende strehimi për personat nën hetim ose si lokacione ku mund të gjenden prova që lidhen me çështjen.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)