Mbrojtja Kibernetike, Shqipëria anëtarësohet në Qendrën e Ekselencës së NATO-s

Qendra është e fokusuar në kërkime shkencore, trajnime profesionale dhe zhvillimin e praktikave më të mira për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike.

15.05.2026. 14:52

Mbrojtja Kibernetike, Shqipëria anëtarësohet në Qendrën e Ekselencës së NATO-s

Shqipëria është bërë zyrtarisht pjesë e NATO Cooperative Cyber Defence Centre of Excellence, Qendrës së Ekselencës së NATO-s për mbrojtjen kibernetike, me seli në Tallinn të Estonisë. Anëtarësimi u konfirmua gjatë një ceremonie zyrtare të ngritjes së flamurit në ambientet e CCDCOE, ku Shqipëria iu bashkua kësaj qendre së bashku me Finlandën dhe Suedinë, duke e çuar në 39 numrin e vendeve anëtare dhe partnere që janë pjesë e këtij rrjeti ndërkombëtar.

Ky hap konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për vendin, pasi synon të forcojë kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, si dhe të thellojë bashkëpunimin me aleatët e NATO-s për përballimin e kërcënimeve në hapësirën digjitale. Përmes këtij anëtarësimi, Shqipëria do të ketë mundësi të përfitojë nga shkëmbimi i ekspertizës, përfshirja në kërkime dhe analiza strategjike, pjesëmarrja në trajnime dhe stërvitje ndërkombëtare, si dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me institucione dhe specialistë të fushës.

CCDCOE është themeluar në vitin 2008 dhe është akredituar nga NATO si një nga qendrat më të rëndësishme në botë për mbrojtjen kibernetike. Qendra është e fokusuar në kërkime shkencore, trajnime profesionale dhe zhvillimin e praktikave më të mira për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike. Një nga aktivitetet më të njohura që organizon CCDCOE është “Locked Shields”, e konsideruar si stërvitja më e madhe dhe më komplekse në botë në fushën e mbrojtjes kibernetike.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)