Garat me makina kthehen në arena boksi, plas grushti mes mekanikëve në Misano

Ngjarja mendohet se nisi afro 20 minuta para përfundimit të garës, kur piloti Edoardo Liberati me Lamborghini goditi nga pas makinën Audi të Alex Aka, teksa të dy po luftonin për kreun.

15.05.2026. 15:37

Garat me makina kthehen në arena boksi, plas grushti mes mekanikëve në Misano

Një incident i pazakontë ka ndodhur pas garës hapëse të Italian GT Endurance, e zhvilluar në cirkuitin e Misano-s, “Marco Simoncelli”. Në bokse, aty ku qëndrojnë makinat dhe mekanikët e skuadrave, shpërtheu një sherr masiv mes dy ekipeve rivale.

Gara tre-orëshe u fitua nga Alessandro Balzan dhe Dylan Medler, të cilët triumfuan me një Ferrari 296 GT3, por vëmendjen kryesore e mori përplasja fizike që ndodhi pas përfundimit të garës. Sipas raportimeve, në sherr u përfshinë pjesëtarë të ekipit Vincenzo Sospiri Racing (Lamborghini me numër 66) dhe ekipi Tresor Attempto Racing (Audi me numër 99). Në përleshje dyshohet se u përfshinë rreth 20 persona.

Ngjarja mendohet se nisi afro 20 minuta para përfundimit të garës, kur piloti Edoardo Liberati (Vincenzo Sospiri Racing) goditi nga pas makinën e Alex Aka (Tresor Attempto Audi), teksa të dy po luftonin për kreun. Megjithëse Liberati dhe shoku i tij i skuadrës Mattia Michelotto vazhduan garën dhe u renditën në vendin e 10-të, ekipi i Aka e mbylli fillimisht në vendin e katërt, por më pas u përjashtua.

Sipas burimeve, sherri ka nisur kur ekipi i Audi me numrin 99 ka shkuar drejt garazhit të rivalëve, duke ndezur konfliktin në pit-lane. Pas incidentit, organizatorët e garës publikuan një deklaratë zyrtare ku njoftuan ndryshimin e renditjes përfundimtare.

“Renditja përfundimtare e 3 orëve të Misanos, gara hapëse e Kampionatit Italian GT Endurance 2026, është rishikuar. Pas verifikimeve pas garës, komisarët kanë vendosur të përjashtojnë ekipin Aka-Frassineti-Levi, i cili kishte përfunduar i katërti me Audi R8 LMS GT3 të Tresor Attempto Racing. Vendimi u mor për shkak të sjelljes jo sportive në fund të garës”, thuhej në njoftim.

Vincenzo Sospiri, emri i të cilit mban ekipi Lamborghini, ka qenë më herët pjesë e ekipit Lola në Formula 1 në vitin 1997, megjithatë nuk arriti të kualifikohej në asnjë garë atë sezon. Ndërsa në garat GT, ekipi i tij i themeluar në vitin 2001 ka pasur më shumë sukses dhe vijon të konkurrojë edhe sot.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)