Një gabim teknik ka tronditur tregun e kriptomonedhave, pasi kompania koreano-jugore Bithumb transferoi gabimisht më shumë se 40 miliardë dollarë në bitcoin te përdoruesit e saj, në vend të shumës simbolike prej vetëm 1.37 dollarësh për person.
Sipas kompanisë, rreth 695 përdorues u prekën nga ky gabim, ndërsa në total u shpërndanë gabimisht rreth 620 mijë bitcoinë. Bithumb sqaroi se bëhej fjalë për një fushatë promocionale, ku secilit përdorues duhej t’i transferoheshin rreth 2,000 won koreane, por për shkak të një gabimi, secili mori rreth 2,000 bitcoinë.
Platforma reagoi brenda 35 minutash duke bllokuar tregtimin dhe tërheqjet për llogaritë e prekura dhe njoftoi se ka rikuperuar 99.7 për qind të shumës së shpërndarë gabimisht. Megjithatë, incidenti shkaktoi luhatje të forta në treg, me çmimin e bitcoin që ra përkohësisht me 17 për qind në platformë.
Bithumb pranoi se disa përdorues kryen transaksione me çmime të pafavorshme dhe premtoi kompensim të plotë, përfshirë edhe një bonus prej 10 për qind. Humbjet totale për kompaninë vlerësohen rreth 1 miliard won.
Kompania theksoi se incidenti nuk lidhet me sulme kibernetike, ndërsa vjen në një periudhë kur bitcoin ka humbur rreth gjysmën e vlerës së tij gjatë katër muajve të fundit, duke nxitur kritika të forta ndaj stabilitetit të kriptomonedhave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)