Të jetosh në zona të larta malore, ku ajri është më i rrallë dhe përmban më pak oksigjen, mund të ulë rrezikun për zhvillimin e diabetit. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore “Cell Metabolism”, i cili hedh dritë mbi mekanizmin biologjik që qëndron pas këtij fenomeni të vërejtur prej kohësh nga studimet epidemiologjike.
Prej vitesh është konstatuar se popullsitë që jetojnë në lartësi të mëdha mbi nivelin e detit, preken më rrallë nga diabeti krahasuar me ata që jetojnë në zona fushore. Megjithatë, deri më tani mungonte një shpjegim i qartë shkencor. Sipas kërkimit të realizuar nga shkencëtarët në Kaliforni, çelësi qëndron tek reagimi i organizmit ndaj mungesës së oksigjenit.
Studimi tregon se në kushtet kur niveli i oksigjenit në gjak është i ulët, rruazat e kuqe ndryshojnë mënyrën e tyre metabolike dhe fillojnë të përthithin sasi të mëdha glukoze nga qarkullimi i gjakut. Ky proces ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak pas vakteve që konsumohen.
Shkencëtaret testuan gjithashtu një ilaç eksperimental, të quajtur “HypoxyStat”, i cili simulon efektet e ekspozimit ndaj niveleve të ulëta të oksigjenit. Ilaçi arriti të reduktojë hipergliceminë, duke sugjeruar një qasje të re terapeutike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti mbetet një nga sfidat kryesore shëndetësore globale, me qindra miliona persona të prekur në mbarë botën.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)