Është publikuar plani i masave të policisë për mbarëvajtjen e protestës së thirrur nga Partia Demokratike ditën e premte.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, përfaqësues të Partisë Demokratike të Shqipërisë kanë informuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një proteste më 17 prill 2026, nga ora 19:00 deri në 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.
Në kuadër të garantimit të rendit dhe sigurisë gjatë këtij tubimi, policia ka vendosur kufizime të përkohshme në disa segmente rrugore. Konkretisht, duke nisur nga ora 23:45 e datës 16 prill dhe deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Ndërkohë, nga ora 15:00 e datës 17 prill dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet plotësisht lëvizja e automjeteve në të njëjtin bulevard, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”. Kufizime do të ketë edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve që të respektojnë afatin dhe vendin e përcaktuar për protestën, ndërsa qytetarëve u kërkon mirëkuptim për bllokimet e përkohshme. Gjithashtu, autoritetet apeluan që çdo person të distancohet nga veprime të kundërligjshme që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)