“Investo 500 euro dhe…”, Prokuroria zbërthen call center-at: U vodhën europianëve mbi 50 milionë euro

Hetimet, që kanë zgjatur rreth dy vite, zbuluan një rrjet të mirëorganizuar që operonte përmes call center-ave në Tiranë. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit vepronin në grupe prej 6 deri në 8 agjentësh, të ndarë sipas gjuhëve të huaja si gjermanisht, anglisht dhe italisht, duke synuar tregje të ndryshm

16.04.2026. 13:54

“Investo 500 euro dhe…”, Prokuroria zbërthen call center-at: U vodhën europianëve mbi 50 milionë euro

Prokuroria e Tiranës përmes një njoftimi zyrtar ka dhënë detaje nga operacioni për goditjen e disa call center-ave në kryeqytet, pas sinjalizimit të autoriteteve austriake.

Sipas organit të akuzës është goditur një nga skemat më të mëdha të mashtrimit me call center në Shqipëri, me një dëm që kapërcen 50 milionë euro ndaj qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet austriake, si dhe me mbështetjen e Eurojust, Europol dhe strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.

Si rezultat i hetimeve, janë vendosur masa sigurie për disa persona, ku ndaj Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra dhe Xhoel Mekolli, togat e zeza lanë në fuqi arrestin me burg.

Ndërkohë  për 5 të arrestuarit në flagrancë, Kristjan Buda, Benard Biba, Kleidi Dyrma, Ema Taipi dhe Eno Hana, seanca për vlerësimin e masës së sigurisë do mbahet ditën e nesërme në Gjykatën e Tiranës.

Hetimet, që kanë zgjatur rreth dy vite, zbuluan një rrjet të mirëorganizuar që operonte përmes call center-ave në Tiranë. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit vepronin në grupe prej 6 deri në 8 agjentësh, të ndarë sipas gjuhëve të huaja si gjermanisht, anglisht dhe italisht, duke synuar tregje të ndryshme europiane.

Skema funksiononte duke kontaktuar qytetarë të huaj dhe duke i bindur ata të investonin në platforma të rreme “trading online”. Në shumë raste, viktimave u premtohej rikuperimi i humbjeve të mëparshme financiare, ndërsa më pas udhëzoheshin të hapnin llogari në platforma si “Coin Base” dhe të depozitonin fillimisht 500 euro. Detyra e operatorëve ishte vetëm të bindnin klientët për të bërë pagesën fillestare prej 500 Euro dhe paga mujore e tyre ka qenë rreth 800 euro, të cilën një pjesë e merrnin në dorë dhe pjesën tjetër në bankë. Secili prej punonjësve kishte username dhe vepronin me pseudonime.

Operatorët kishin për detyrë vetëm bindjen e klientëve për pagesën fillestare, ndërsa vepronin me pseudonime dhe llogari të personalizuara. Struktura e organizimit ishte e ngjashme me një biznes të mirëfilltë, me ndarje të qartë rolesh dhe mbikëqyrje nga drejtuesit.

Sipas hetimeve, aktiviteti kriminal ka qenë veçanërisht i përqendruar në Austri, kryesisht në Vjenë, gjatë periudhës qershor 2023 – korrik 2024. Një pjesë e rëndësishme e përfitimeve dyshohet se është transferuar në kriptovaluta dhe dy prej të dyshuarve janë identifikuar si përfitues fundorë, pasi kanë marrë dhe shpërndarë shuma të konsiderueshme në adresa kripto.

Në kuadër të operacionit, autoritetet sekuestruan edhe mbi 891 mijë euro cash, përveç pajisjeve si 443 kompjuterë, 238 telefona celularë dhe 6 laptopë.

Nga verifikimet rezulton se disa subjekte të regjistruara, si “IOTA Network”, “Victory Communication”, “Espiron Studio”, “Zeta Studio”, “Upstream Creative” dhe “Koppa Network”, dyshohet se kanë qenë kompani fiktive të përdorura për të mbuluar aktivitetin e call center-ave.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë të gjerë mashtrimi ndërkombëtar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)