“Reagim për protestat e shqiptarëve në RMV”, Zhupa: Samiti i diasporës u kthye në propagandë

Deputetja e PD, Ina Zhupa kërkoi një reagim të përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me protestat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

16.04.2026. 11:21

“Reagim për protestat e shqiptarëve në RMV”, Zhupa: Samiti i diasporës u kthye në propagandë

Deputetja e opozitës, Ina Zhupa ka kërkuar një reagim të përbashkët nga Kuvendi në lidhje me protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për gjuhën shqipe.

Zhupa deklaroi se është detyra e qeverisë që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve kudo që ajo ndodhet.

Mes të tjerash, Zhupa pati kritika dhe për Samitin e Diasporës duke thënë se organizatorët nuk kishin ftuar përfaqësues nga opozita dhe e kthyen atë në foltore për propagandën e qeverisë.

“Më vjen që kemi reaguar të dyja palët. Por kemi reaguar në mënyrë individuale. Duhet të ishte në nderin e këtij Kuvendi të dilte në një deklaratë të përbashkët në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në RMV për gjuhën shqipe. Ky është një diskutim ligjor dhe kombëtar. Rrënjët tona janë kudo, në RMV. Është detyra e shtetit të kujdeset sa herë shkelen të drejtat. Qeveria nuk e pa të arsyeshme të ftonte dhe komisionin e diasporës. Ky samit duhet të kishte nisur me çfarë u bë me 3 të mëparshmit dhe cilat janë objektivat e të katërtit. E kthyet në samit propagandistik. Si u gjend Taulant Balla atje. Ju çdo gjë e përdorni për politikë dhe qëllime elektorale. Le të bashkohemi për shqiptarët e RMV”, tha Zhupa.

I menjëhershëm qe reagimi i ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha, i cili deklaroi se ka pasur kontakte të vazhdueshme në lidhje me protestat e studentëve në RMV, teksa shtoi se kjo çështje zgjidhet në Kuvendin e këtij vendi.

Në lidhje me samitin, Hoxha deklaroi se ai ishte i suksesshëm.

“Kam bërë 3 deklarata për këtë çështje. Jam takuar me udhëheqësin e protestave paqësore në RMV. Jemi të vëmendshëm. Problemi duhet zgjedhur në Kuvendin e RMV, nga aktorët atje në respekt të marrëveshjes së Ohrit. Nga të gjitha analizat, samiti rezulton i suksesshëm, ku u trajtuan çështjet që kanë rëndësi për diasporën dhe ne. Për herë të parë u fol se çfarë mund të bëjmë bashkë. Kemi bërë një analizë të 3 samiteve dhe kemi një pjekuri se si mund të shkojmë në një nivel tjetër”, tha Hoxha.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)