"Mos e lëshoni shqipen", Kumbaro në konkursin e Gjuhës Shqipe: Ju bën unikë

Po mbahet sot finalja e edicionit të katërt të Konkursit të Gjuhës Shqipe, mes shkollave “Edith Durham” dhe “Besëlidhja” Lezhë, një ngjarje që është kthyer në një traditë e cila feston dhe promovon vlerat e gjuhës sonë si dhe e kthen atë në një prioritet arsimor.

16.04.2026. 12:28

"Mos e lëshoni shqipen", Kumbaro në konkursin e Gjuhës Shqipe: Ju bën unikë

Po mbahet sot finalja e edicionit të katërt të Konkursit të Gjuhës Shqipe, mes shkollave “Edith Durham”  dhe “Besëlidhja” Lezhë, një ngjarje që është kthyer në një traditë e cila feston dhe promovon vlerat e gjuhës sonë si dhe e kthen atë në një prioritet arsimor. 

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, përshëndeti dhe falënderoi gjithë nxënësit, mësuesit e prindërit për përkushtimin, angazhimin dhe pjesëmarrjen, ndërsa në këtë finale mori pjesë edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Hajrulla Çeku.

“Kemi qenë çdo ditë së bashku, prej janarit, kur e çelëm konkursin e Gjuhës Shqipe dhe sot mblidhemi të gjithë bashkë për të festuar suksesin e këtij rrugëtimi në pranverë, ku gjithçka jashtë është e gjelbër, e gjallëruar dhe e përtëritur, siç ju përtërini gjuhën shqipe me pasionin tuaj. Ka fjalë shumë të bukura gjuha shqipe për këtë stinë dhe ju i keni përdorur të gjithë këto. 

Jam shumë e lumtur që sot me ftesën time, të kem edhe mikun tim Harjulla Çeku, ministër i Kosovës për Arsimin e Shkencën, të cilin kam shumë kënaqësi ta mirëpres në vizitën e tij të parë zyrtare si ministër i arsimit në Tiranë. Jam e lumtur po ashtu të ndaj lajmin që nëpër shkollat tona nisim parë e olimpiadës së përbashkët me Kosovën, si një zinxhir që ka filluar dhe vijon dhe nuk do me ditë fare për kufij mes nesh sepse ne na lidh gjuha, kombi, gjaku. Kjo ngjarje e zbukuron mozaikun tonë kombëtar të gjuhës shqipe. 

“Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që t’na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd”, thoshte Ibrahim Rugova, një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjeve të identitetit dhe lëmit tonë kulturor kombëtar.

Më besoni, edhe pse unë jo si ministre që vij nga fusha e letrave, përkthimit, gjuhësisë, letërsisë, kam emocione të mëdha sot, emocione që m’i keni dhënë ju, në të gjitha nivelet e këtij konkursi: gjatë momenteve të debatit, recitimit, projekteve, pyetjeve e përgjigjeve, po edhe të ndonjë loti që ka shpëtuar kur nuk e keni fituar atë garë. Ka qenë një kënaqësi, emocion dhe krenari e vërtetë t’ju dëgjoje. Një mirënjohje shumë të thellë ta kemi të gjithë bashkë edhe ndaj mësuesve tuaj që ju kanë ndenjur mbi kokë gjatë përgatitjes, faleminderit, sepse keni vënë pasionin, e kemi bërë jashtë orari, siç e kemi quajtur tashmë “Pas Shkolle”. Prandaj sot mbyllim një finale që bashkon përgjegjësinë, dijen dhe qytetarinë tuaj.

Ky konkurs është pikërisht një nga ato iniciativa që e kthejnë gjuhën shqipe në një prioritet arsimor. Ne po ndërtojmë gjithashtu një sistem që u jep mundësinë edhe bashkëmoshatarëve tuaj në Diasporë ta mësojnë gjuhën shqipe si gjuhë institucionale, të certifikuar, të njehsuar me kornizën europiane të gjuhëve, ta flasin jo vetëm në familje, por edhe si gjuhë pune e në çdo lloj komunikimi tjetër.

Ju po rriteni në një realitet global që tenton të standardizojë, thjeshtëzojë komunikumin dhe përgjithësojë çdo gjë, përfshirë edhe fjalët, por ju gjithmonë duhet të jeni të vetëdijshëm për gjuhën tuaj, se ç’pasuri leksikore, folklorike, dialektike keni dhuratë nga stërgjyshërit, gjyshërit, prindërit tuaj dhe të përballojmë atë tundimin e madh kur shkruajmë ato mesazhet “flm”. Po kur flasim shqip, është kjo shqipja me të cilën ju përballeni sot në garë. Mos e lëshoni shqipen! Anglisht flasin të gjithë sot. Ama shqip!

Shqipja është e shkruar në kodin tonë gjenetik, prandaj ne jemi sot këta dhe jemi këtu.

Unë nuk dua t’i shtoj asgjë më shumë, veçse t’ju uroj suksese dhe të fluturoni sa më lart, të kapur pas fjongos që ju lidh me rrënjët e gjuhës shqipe”, ishte fjala e ministres Kumbaro.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)