Radari e kapi mbi shpejtësinë e lejuar, finlandezi paguan 120,000 euro gjobë

Një shofer në Finlandë u gjobit me 120,000 dollarë për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në një zonë ku qarkullohet me 30 kilometra në orë.

16.04.2026. 12:14

Radari e kapi mbi shpejtësinë e lejuar, finlandezi paguan 120,000 euro gjobë

Një nga biznesmenët më të pasur të Finlandës, u urdhërua të paguante një gjobë astronomike prej 120 mijë eurosh, pasi u kap duke tejkaluar shpejtësinë me 59 km/orë në një zonë ku limiti ishte vetëm 30 km/orë.

79-vjeçari Anders Wiklöf, themelues i Wiklöf Holding AB me një xhiro vjetore prej mbi 350 milionë eurosh , ra viktimë e ligjit të rreptë finlandez.

Në Finlandë, shkeljet e shpejtësisë që tejkalojnë 20 km/orë konsiderohen serioze dhe madhësia e gjobës lidhet drejtpërdrejt me të ardhurat e shkelësit. Kështu, drejtimi i pakujdesshëm i Wiklöf në arkipelagun Åland u shndërrua në një çështje jashtëzakonisht të kushtueshme.

Pavarësisht madhësisë së gjobës, biznesmeni nuk u përpoq ta kundërshtonte thirrjen në gjykatë. Duke folur për gazetën finlandeze “Nya Åland”, ai e pranoi fajin.

“Nëse kam bërë një gabim, kam bërë gabim, e pranoj dhe nuk ka asgjë më shumë për të thënë”, u shpreh ai.

Në fakt, ai e konsideron veten me fat që e ka mbajtur lejen e drejtimit, pasi në rastet e shkeljeve më të mëdha, patenta i hiqet menjëherë.

Kjo nuk është hera e parë që Wiklöf ka pasur probleme me autoritetet për të njëjtën arsye. Në vitin 2023, ai mori një gjobë të ngjashme, ndërsa pranon se gjatë 13 viteve të fundit ka shpenzuar pothuajse 400,000 euro për gjoba për shpejtësinë e lartë.

Sado e tepruar që mund të duket shuma prej 120,000 eurosh, ajo zbehet në krahasim me rekordin botëror të vendosur në vitin 2010 në Zvicër.

Atje, një shofer suedez u gjobit me 1 milion dollarë pasi u kap duke tejkaluar shpejtësinë me 280 km/orë në një zonë ku lejohej lëvizja me 75 km/orë. Ashtu si në Finlandë, edhe në Zvicër, situata financiare e shkelësit luajti një rol vendimtar në përcaktimin e dënimit përfundimtar.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)