Një tragjedi është regjistruar në Kosovë mesditën e kësaj të enjteje, teksa zjarri ka shkrumbuar një banesë në Malishevë, duke i marr jetën kryefamiljarit dhe dy fëmijëve të tij të mitur.
Bëhet e ditur nga policia se ngjarja ndodhi rreth orës 12:55 në lagjen “Mirdita”. Viktimat janë një burrë rreth 35 vjeç dhe fëmijët e tij, të moshës 9 dhe 12 vjeç.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj. Sipas tij, në vendin e ngjarjes janë gjetur tre viktima, të cilat nuk kanë arritur t’u mbijetojnë plagëve.
“Sot, rreth orës 12:55, jemi njoftuar për një incident zjarri në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë. Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente. Në këtë banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore (një i rritur dhe dy fëmijë), të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ku është konstatuar se të njëjtit ishin pa shenja jete. Zjarri është lokalizuar dhe nuk është raportuar për pasoja të tjera”, ka deklaruar Elezaj.
Policia gjithashtu njofton se Prokuroria ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)