Protesta e PD, policia shoqëron 52 persona, 17 në pranga

Policia e Tiranës ka shoqëruar 52 persona pas protestës së mbrëmshme të opozitës, nga të cilët 17 janë arrestuar dhe 35 janë proceduar në gjendje të lirë.

21.02.2026. 09:05

Protesta e PD, policia shoqëron 52 persona, 17 në pranga

Pesëdhjetë e dy të shoqëruar, 17 prej të cilëve të arrestuar dhe 35 të tjerë që po hetohen në gjendje të lirë.

Ky është bilanci i policisë për protestën e katërt kombëtare të Partisë Demokratike, e cila kulmoi mbrëmjen e djeshme me përplasje frontale me efektivët, ku mbështetësit e opozitës hodhën molotov dhe forcat e rendit në terren u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e turmave.

Epiqendra e përplasjeve gjatë tubimit të djeshëm u bë ura në Rrugën e Elbasanit, e cila ndal selinë e Partisë Demokratike nga godina e Parlamentit. Policia krijoi në këtë pikë një kordon me efektivë dhe makina ujëhedhëse, për të parandaluar avancimin e protestuesve, të cilëve këtë herë me maskën kundrgas në fytyrë, vetë lideri i opozitës, Sali Berisha.

Gazi lotsjellës i policisë nuk kurseu as selinë blu dhe Xhaminë e Namazgjasë, ku në atë kohë qindra besimtarë po falnin Namazin e teravive, në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe mbetën të ngujuar brenda objektit të kultit.

Për këto dy akte, Sali Berisha akuzoi policinë dhe kryeministrin Edi Rama se kanë shkelur vijat e kuqe dhe iu drejtua me fjalët: “Zoti ju vraftë”.

Protesta kombëtare e opozitës në Tiranë u shoqërua me tensione të forta, përplasje me policinë dhe incidente që zgjatën për më shumë se 120 minuta në disa pika kyçe të kryeqytetit. Tubimi, i thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë, përkoi me përkujtimin e 20 shkurtit, datë simbolike e rrëzimit të bustit të Enver Hoxha.

Që në orët e pasdites, protestuesit nisën të grumbulloheshin para Kryeministrisë. Lideri i opozitës, Sali Berisha, mbërriti në këmbë nga selia e PD-së, i shoqëruar nga mbështetës. Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe paralajmëroi se “vjedhja e qytetarëve do të shpallet krim i rëndë”. Menjëherë pas përfundimit të fjalimit, situata u përshkallëzua, në drejtim të godinës së Kryeministrisë u hodhën molotovë dhe mjete piroteknike.

Forcat e rendit reaguan me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Përplasjet u zhvendosën më pas drejt Parlamentit dhe urës së Elbasanit, ku një grup protestuesish vijoi të hidhte molotovë, ndërsa policia iu përgjigj me gaz. Sheshi përpara Kuvendit u boshatis pjesërisht, ndërsa mjegulla e gazit lotsjellës mbuloi zonën.

Gjatë mbrëmjes u raportuan disa protestues të lënduar, disa prej të cilëve u transportuan në spital pasi kishin humbur ndjenjat. Autoritetet nuk publikuan një bilanc zyrtar për të plagosurit. Ndërkohë, policia njoftoi arrestimin e të paktën shtatë personave, të cilët sipas saj u kapën me çanta të mbushura me molotovë.

Një nga çështjet më të debatueshme ishte pretendimi për hedhje gazi lotsjellës pranë dhe brenda xhamisë. Berisha e cilësoi ngjarjen “krim të shëmtuar”, duke deklaruar se besimtarët myslimanë u prekën gjatë faljes pas iftarit. Reagime të forta pati edhe nga drejtues të tjerë të opozitës. Gazment Bardhi e quajti incidentin “akt të rëndë dhe të papranueshëm”, duke e lidhur me cenimin e lirisë së besimit.

Nga ana tjetër, Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, apeloi për distancim nga dhuna dhe mbajtjen e të miturve larg përplasjeve. Ajo theksoi se “dhuna nuk është zgjidhje” dhe dënoi çdo akt të paligjshëm.

Protesta u zhvillua në një klimë të tensionuar edhe për shkak të qëndrimit të Policisë së Tiranës, e cila paraprakisht deklaroi se nuk e merrte përsipër mbarëvajtjen e tubimit, duke përmendur analiza risku dhe precedentë të dhunshëm. Megjithatë, u ndërmorën masa për sigurinë dhe bllokimin e disa akseve rrugore kryesore.

Në përfundim, Berisha deklaroi se protesta “nuk mbyllet këtu”, duke paralajmëruar një tjetër mobilizim në shkallë vendi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)