Kryeministri Edi Rama ka vendosur në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste që të riformatojë kabinetin qeveritar, duke bërë shtatë ndryshime, 9 muaj pas fitores në zgjedhje dhe nisjes së mandatit të katërt.
Mësohet se Belinda Balluku, e cila është në qendër të vëmendjes për shkak të hetimit nga SPAK, por edhe për faktin se pezullimi i saj solli përplasje mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, është shkarkuar nga detyra si zv/kryeministre dhe Ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Enea Karakaçi është emëruar Ministër i Infrastrukturës dhe Energjitikës, ndërsa zv/kryeministrja e re e vendit do të jetë Albana Koçiu.
Ajo do t’i lërë vendin në krye të Ministrisë së Brendshme, Besfort Lamallarit, ndërsa këtë të fundit në krye të Ministrisë së Drejtësisë do ta zëvendësojë Toni Gogu. Sakaq, Eriona Ismaili do të pasojë Gogun si ministre e Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin.
Nga detyra është shkarkuar edhe Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, e cila do të pasohet në detyrë nga ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.
Shefi i qeverisë ka shkarkuar po ashtu nga detyra ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, duke emëruar në vend të tij Ermal Nufin.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)