Shkatërrohet grupi i “Dakut” në Itali, 28 masa arresti, pjesa më e madhe për shqiptarë

Në qendër të këtij rrjeti dyshohet të jetë një person me nofkën “Daku”, i cili konsiderohet si një nga organizatorët kryesorë të aktivitetit kriminal.

14.04.2026. 14:47

Shkatërrohet grupi i “Dakut” në Itali, 28 masa arresti, pjesa më e madhe për shqiptarë

Një operacion i gjerë i zhvilluar në orët e para të mëngjesit nga policia italiane ka goditur një rrjet të organizuar të trafikut të drogës, ku shumica e të dyshuarve rezultojnë të jenë shtetas shqiptarë.

Aksioni u koordinua nga autoritetet në Bolzano dhe përfshiu dhjetëra njësi policore nga qytete të ndryshme italiane.

Në total, janë lëshuar 28 masa sigurie ndaj personave nën hetim. Prej tyre, 10 janë dërguar në burg, 8 në arrest shtëpie, ndërsa 10 të tjerë janë vendosur nën detyrim paraqitjeje. Sipas hetimeve, të dyshuarit banonin kryesisht në provincën e Bolzanos, por aktiviteti i tyre shtrihej edhe në zona të tjera të Italisë.

Në qendër të këtij rrjeti dyshohet të jetë një person me nofkën “Daku”, i cili konsiderohet si një nga organizatorët kryesorë të aktivitetit kriminal. Grupi akuzohet për trafik kombëtar dhe ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, e cila transportohej nga vende si Belgjika dhe Spanja drejt Italisë.

Hetimet, të nisura që në vitin 2023, kanë zbuluar një strukturë të mirëorganizuar me role të ndara qartë mes anëtarëve, përfshirë furnizues, transportues dhe shpërndarës.

Autoritetet kanë dokumentuar rreth 150 raste të shitjes së drogës dhe kanë sekuestruar sasi të konsiderueshme lënde narkotike si dhe para cash.

Grupi përdorte metoda të sofistikuara për të shmangur zbulimin, përfshirë komunikime të koduara dhe automjete të modifikuara për transport droge. Sipas hetuesve, rrjeti kishte kapacitet të lartë logjistik dhe ekonomik për të garantuar furnizim të vazhdueshëm.

Autoritetet theksojnë se hetimet vazhdojnë dhe të gjithë të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)