“Të financojnë Shqipëria e Kosova”, Konjufca propozon dërgimin e mësuesve për diasporën

Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë Samitit të Diasporës të mbajtur sot në Tiranë, hodhi një propozim duke thënë se Tirana dhe Prishtina duhet të financojnë dërgimin e një numri të konsiderueshëm mësuesish të gjuhës shqipe në 5 vende ku është e përqendruar më së shumti diaspora jonë.

14.04.2026. 15:16

“Të financojnë Shqipëria e Kosova”, Konjufca propozon dërgimin e mësuesve për diasporën

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë Samitit të Diasporës që po zhvillohet në Tiranë, ka theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në funksion të ruajtjes së identitetit kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve jashtë vendit.

Ai bëri të ditur se diaspora shqiptare është e përqendruar kryesisht në pesë shtete, ku në SHBA, Greqi dhe Itali dominojnë emigrantët nga Shqipëria, ndërsa në Gjermani dhe Zvicër mbizotërojnë shqiptarët nga Kosova.

Konjufca prezantoi tre objektiva kryesorë që synohen të realizohen në vitet në vijim, duke vendosur theksin tek mbështetja institucionale për diasporën, duke dërguar sipas tij edhe mësues, të financuar nga Tirana e Prishtina për të arsimuar brezat e rinj aty.

“Patëm një takim shumë të mirë me z. Hoxha. I shqyrtuam disa qëllime të përbashkëta që pritet t’i konkretizojmë në vitet që vijnë. Arritja më e madhe do të ishte sikur së bashku me Shqipërinë, të dërgonim një numër të madh të mësimdhënësve që financiarisht mbulohen nga Republika e Shqipërisë dhe Kosovës. Do ishin me qindra mësimdhënës që mirëmbajnë gjuhën shqipe në ato shtete ku është e përqendruar mërgata jonë. Deri më tash kjo ka qenë vullnetare e organizuar nga mërgata jonë. Konsideroj se numri i fëmijëve tanë është i vogël, që e ndjekin shkollën shqipe, nuk besoj se i kalon 10 për qind. Kjo s’duhet të jetë vetëm pjesë e familjes, por e shteteve tona. Kemi nevojë ta ngremë në një nivel të ri”, u shpreh Konjufca.

Një tjetër element që ai e cilësoi thelbësor është organizimi dhe rrjetëzimi i diasporës shqiptare në forma më të strukturuara.

“Rrjetëzimi i mërgatës sonë, shumë projekt i rëndësishëm. Ne duhet të krijojmë ombrella të përbashkëta të të gjitha organizatave dhe shoqatave shqiptare. Na kanë ndihmuar shumë, por nëse duam ta ngrejmë përfaqësimin shqiptar dhe politizimin e mërgatës në kuptim shtetëror, është politizim pozitiv që na duhet.”

Po ashtu, Konjufca theksoi se një nga sfidat kryesore mbetet krijimi i kushteve reale për rikthimin e emigrantëve në vendlindje, përtej lidhjes emocionale.

Si shembull ai dha modelin e Kosovës për garancitë financiare ndaj shqiptarëve të diasporës që kthehen për të investuar në ardhe.

“E treta, duhet ta lidhim mërgatën me vendin dhe kur jemi këtu mendoj që e kemi kaluar tashmë fazën folklorike të dimensionit të identitetit shqiptar. Ajo mirëmbahet në familjet tona, por për t’u kthyer këtu duhet diçka shtesë vetëm prej emocionit që na shkakton ndjenja e të qenit shqiptarë. Ajo nuk mjafton. Ajo të bën vizitor një herë, dy ose tri herë në vit, por për të parë një perspektivë pas 30 vjetësh që ke jetuar në SHBA dhe të kthehesh në Shqipëri, duhet diçka më shumë. Këtë duhet ta zbulojmë së bashku. Kosova e ka një garanci kreditore për ata që duan të investojnë në Kosovë. Shteti bëhet garantues që paratë e tyre të mos humbin”, theksoi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)