Nga izolimi në zhvillim, Rama prezanton “Paketën e Maleve” në Samitin e Diasporës

Në ditën e dytë të Samitit të Diasporës, kryeministri Rama ftoi shqiptarët e diasporës që të rikthehen në vend dhe të investojnë në pronat e tyre përmes “Paketës së Maleve”.

14.04.2026. 10:35

Nga izolimi në zhvillim, Rama prezanton “Paketën e Maleve” në Samitin e Diasporës

Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e rolit të diasporës në zhvillimin e vendit, gjatë fjalës së tij në Samiti i Diasporës.

Në deklaratën e tij, Rama u shpreh se Shqipëria është një vend në transformim të vazhdueshëm, që po ecën përpara drejt objektivit strategjik për anëtarësim në Bashkimi Evropian deri në vitin 2030. Ai theksoi se përvoja e shqiptarëve jashtë vendit është thelbësore për këtë proces, duke e cilësuar atë si një vlerë që duhet rikthyer dhe investuar në Shqipëri.

Një nga nismat që Rama veçoi ishte “Paketa e Maleve”, një projekt që synon zhvillimin e zonave malore, të cilat historikisht kanë qenë të izoluara dhe të pazhvilluara. Sipas tij, këto zona tashmë mund të kthehen në burime të rëndësishme mirëqenieje dhe zhvillimi ekonomik.

Ai i bëri thirrje shqiptarëve të diasporës që zotërojnë prona në zona malore apo shtëpi të vjetra familjare, t’i shfrytëzojnë këto mundësi duke investuar në vendlindje përmes kësaj pakete.

“Shqipëria është një vend që ndryshon çdo ditë. Ndonjëherë ngadalë e ndonjëherë më shpejt. Por është e rëndësishme që ajo ecën përpara. Shqipëria në BE në 2030 është një objektiv. Ju e dini çfarë d.m.th të jetosh në sisteme që funksionojnë, ku merita ka vend. Përvoja juaj nuk është jashtë Shqipërisë por thelbësore në të. Çfarë ju keni hequr në këto vite janë një mësim. Asnjë transformim i madh nuk mund të jetë pa hequr të tëra në kurriz. Do ketë zhgënjime, momente sikur asgjë nuk ja vlen. Do ketë momente kur progresi duket si i ngadalësuar. Por asnjë rrugë suksesi nuk ndërtohet përmes rehatisë. Kombet ndërtohen mes tensionit të asaj që ishte dhe asaj që duhet të jetë.

Një gjest simbolik është “Paketa e Maleve”. Malet kanë qenë larg zhvillimit, shqiptarët tërhiqeshin për t’u mbrojtur për t’u fshehur. Por sot ka ardhur dita që malet të bëhen burim mirëqenieje. Sot kemi dy gjëra.  Shqipërinë e besuar te bota dhe besimin e shqiptarëve të botës te Shqipëria. Kemi botën që vjen të vizitojë malet dhe shqiptarët e botës. Iu them shqiptarëve që e kanë një copë tokë në një mal apo në një kodër. Që e kanë një shtëpi të braktisur të gjyshërve që ta marrin “paketën e maleve” dhe ta kthejnë atë tokë në burim mirëqenieje”, tha mes të tjerash Edi Rama.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)