Një deklaratë e fortë dhe pa filtra ka ardhur nga juristja shqiptare që jeton në Itali, Eva Baçi, gjatë një prej paneleve të Samitit të Diasporës, duke nxjerrë në pah pakënaqësitë e thella të emigrantëve shqiptarë ndaj institucioneve në atdhe.
Baçi u shpreh se diaspora po përjashtohet nga vendimmarrja, pavarësisht se konsiderohet “aktor kryesor” në zhvillimin e vendit. Ajo kritikoi ashpër formatin e samitit, duke e cilësuar si një “skenar të bukur pa aktorët kryesorë”, ku sipas saj politikanët flasin, ndërsa diaspora vetëm dëgjon.
“Dëshira për t’u kthyer në Shqipëri është shumë e madhe, ndaj marrim pjesë në Samite sepse presim një dritare te hapur nga toka mëmë, për t’u kthyer, që të na hapë derën. Skenari është shkruar shumë bukur, si ai regjisori që shkruan shumë bukur, dëgjojmë narrativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është Diaspora. Ky është Samiti i Diasporës. Mendoj se përveç hapjes që fjala duhet t’u jepet ministrit, kryeministrit dhe presidentit, aktorët kryesorë jemi ne. Unë doja që të bëja një diskutim dhe nuk m’u dha e drejta e fjalës. Duhet t’i mbarojmë këto filmat e bukur, që ne vetëm të dëgjojmë”, tha Baçi.
Një tjetër moment i fortë ishte kur ajo ngriti shqetësimin për mosvlerësimin e kontributit të shqiptarëve jashtë vendit, duke përmendur rastin e një sipërmarrësi, i cili sipas saj punëson qindra familje, por nuk u vlerësua.
“Unë kam mbaruar 3 fakultete në Bolonja, kam dy specializime. Kemi kërkuar shumë herë, që të hyjmë të japim kontributin tonë. Unë punoj 14 orë në Itali, por mund të punoj 20 orë për Shqipërinë. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër. Unë kam ngelur shumë keq dje, kur u dhanë çmimet. Në krahun tim është njëri nga sipërmarrësit shqiptarët që i jep punë 350 familje dhe ju nuk i dhatë një çmim, Astrit Poti”, tha ajo.
Në fund, Baçi pati edhe një mesazh të drejtpërdrejtë për politikën, duke e cilësuar si jashtë realitetit.
“Ju jeni larg realitetit, flas për politikanët, jeni larg realitetit, nuk jeni afër me ne. Jemi pa përkrahje dhe kur nuk të përkrah shteti yt, kur ti nuk jep kontribut në shtetin tënd. Unë për Italinë jam më e përgatitura, por jam thjesht e huaj. Ne duam të kthehemi në vendin tonë. Këto panelet e ndara nuk janë mirë. Ne aktorët kryesore duhet të flasim, të sjellim problemet. Jo të dëgjojmë politikanët, narrativa është shumë e bukur, por ju nuk e keni idenë çfarë do të thotë sakrifica, pa asnjë përkrahje dhe asnjë ndihmë. Hapni dyer, sepse Shqipërisë nuk i mungon truri. I keni mbyllur dyert, të gjitha personave që janë të përgatitur”, tha Baçi duke shkaktuar ovacione në sallë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)