Një operacion i gjerë kundër mashtrimeve online ka zbuluar një skemë të organizuar kriminale që vepronte përmes call center-ave në Shqipëri, duke synuar qytetarë në Europë, SHBA dhe Kanada. Pas një hetimi të gjatë dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, autoritetet shqiptare kanë ndërhyrë duke goditur një aktivitet që dyshohet se ka gjeneruar fitime të konsiderueshme në mënyrë të paligjshme.
Operacioni i koduar “Ghost Call”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europol, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është finalizuar pas rreth dy vitesh hetime intensive. Sipas njoftimit zyrtar, hetimi nisi pas një kërkese për informacion nga pala austriake, çka çoi në zbulimin dhe dokumentimin e një rrjeti të strukturuar kriminal që operonte në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Gjatë ndërhyrjes policore janë goditur tre subjekte call center, ku u konstatuan operatorë në aktivitet të plotë, duke lehtësuar dokumentimin e menjëhershëm të veprimtarisë së paligjshme. Në vijim të veprimeve procedurale, Gjykata e Tiranës vendosi masën “arrest në burg” për 7 persona, ndërsa për dy të tjerë u caktuan masat “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim për paraqitje”. Deri më tani është arrestuar një prej të dyshuarve, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim.
Paralelisht, gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë edhe disa persona të tjerë që ushtronin aktivitetin e paligjshëm brenda ambienteve të këtyre subjekteve. Sipas hetimeve, ata dyshohet se kishin role të rëndësishme në strukturën e rrjetit, kryesisht si drejtues ekipesh.
Një nga rezultatet më të rëndësishme të operacionit është sekuestrimi i pasurive dhe pajisjeve të përdorura në këtë aktivitet. Policia bëri të ditur se janë sekuestruar rreth 891,735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, përfshirë 443 kompjuterë, 238 telefona celularë dhe 6 laptopë, së bashku me pajisje të tjera si HDD dhe DVR.
Materialet e sekuestruara do t’i nënshtrohen analizave të mëtejshme për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)