Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ngritur akuza të forta duke pretenduar shkelje të të drejtave themelore dhe trajtim të pabarabartë krahasuar me të paraburgosurit e tjerë.
Përmes një letre publike drejtuar Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Meta shprehet se po përballet me kufizime të qëllimshme në komunikim, mungesë transparence për vendimet disiplinore dhe pengesa në ushtrimin e të drejtave të tij ligjore. Ai thekson se nuk ka mundur të dërgojë korrespondencën përmes shërbimeve të institucionit të paraburgimit, duke e detyruar ta bëjë publike letrën.
Në reagimin e tij, Meta ndalet veçanërisht te kushtet e qëndrimit në IEVP “Jordan Misja”, ku sipas tij ka pasur mungesë të elementeve bazë, si ndriçimi në ambientet sanitare, problem që është zgjidhur vetëm pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të Komitetit të Helsinkit. Ai përmend edhe episode të tjera që i cilëson si “sjellje të papranueshme”, duke pretenduar se i janë dëmtuar edhe mjetet që përdor për aktivitet fizik brenda qelisë.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me kufizimin e ajrosjes. Meta pretendon se, ndryshe nga deklarimet zyrtare, ai lejohet të dalë vetëm një herë në ditë, ndonëse sipas tij të paraburgosurit e tjerë përfitojnë dy herë ajrosje. Ai kërkon ballafaqim me përfaqësuesit e policisë që, sipas tij, kanë keqinformuar institucionet monitoruese.
Në letër, ai ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e informacionit mbi vendimet disiplinore ndaj tij dhe pamundësinë për t’i ankimuar ato, duke theksuar se kjo bie ndesh me të drejtat ligjore. Po ashtu, Meta kritikon kufizimet në komunikimin me familjarët dhe drejtuesit e Partisë së Lirisë, si dhe ndalimin e intervistave me median, pavarësisht kërkesave të shumta nga gazetarë.
Duke e cilësuar situatën si “persekutim politik”, Meta kërkon trajtim të barabartë dhe respektim të plotë të të drejtave të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ai i bën thirrje Komitetit të Helsinkit të ndërhyjë për verifikimin e kushteve dhe për të siguruar transparencë mbi trajtimin e tij në paraburgim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)