Berisha: Rama u jep pensionistëve 2 kile domate shtesë mujore

Kreu i PD-së Sali Berisha në komunikim online me qytetarët ka folur për rritjen e çmimeve dhe premtimin e kyeministrit Edi Rama për pensionistët. Ai tha se shtesa mujore për ta është vetëm 2 kg domate.

11.04.2026. 12:40

Berisha: Rama u jep pensionistëve 2 kile domate shtesë mujore

Kreu i PD-së Sali Berisha në komunikim online me qytetarët ka folur për rritjen e çmimeve dhe premtimin e kyeministrit Edi Rama për pensionistët. Ai tha se shtesa mujore për ta është vetëm 2 kg domate. 

"Java që kaloi me këtë qeverisje ishte një javë përsëri ndëshkimi për shqiptarët. Qeveria e Edi Ramës, në dallim nga çdo qeveri tjetër në Europë dhe botë, mbajti qëndrim cinik ndaj rritjes së çmimit më të lartë në botë për naftën. Nafta 224 lekë për litër shënoi çmimin rekord botëror dhe kjo jo se nafta u rrit kaq shumë për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, por për shkak të ngarkesës më të lartë fiskale që Edi Rama ka vendosur për çdo litër naftë, për shkak të taksës më të lartë që ua merr qytetarëve shqiptarë në çdo litër naftë prej 1.1 euro. Jo vetëm që refuzon të përgjysmojë barrën fiskale apo ta sjellë në nivelin e ngarkesës fiskale që ka Kosova dhe Maqedonia në mënyrë që çmimi i naftë të arrijë në këto nivele, por ai njoftoi këto ditë se do heqë edhe subvencionet për naftën e fermerëve. Domethënë, miliarderët që vijnë dhe marrin nga 1 milion litra naftë me jahtet e tyre superluksoze në portin e Durrësit, e marrin naftën me 60 lekë litrin, kurse fermeri detyrohet ta paguajë naftën me 220 lekë litrin, çka do të thotë se sipërfaqe qindra e mijëra hektarë do mbeten djerrë dhe qindra mijëra fermerë do falimentojnë.
Ky është një qëndrim cinik, një qëndrim i pashpirt, siç është i pashpirt dhe cinik qëndrimi ndaj pensionistëve, të cilëve ua mbajti bonusin që duhej t’ua jepte që në janar, dhe tani doli kokoshi i katandisur në thelë, u jep 8 euro për shumicën dhe për një pjesë të vogël të tyre shtesa është gjithsej 18 euro. Pra u jep shumicës së pensionistëve dy kile domate në shtesë mujore. Kjo është një tallje të cilën e bëjnë ata që nuk kanë ndjenja, shpirt, zemër njeriu, por shohin vetëm pasurimin e tyre", tha ai.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me pensionistët e njësisë administrative nr. 2 në Tiranë, ku prezantoi skemën e re të rritjes së pensioneve dhe ndryshimet që pritet të zbatohen në vitet e ardhshme. Ai theksoi se deri më tani është aplikuar vetëm indeksimi, të cilin e dalloi nga rritja reale e pensioneve.

“E vetmja gjë që kemi bërë për vite të tëra ka qenë indeksimi i pensioneve, por që nuk është rritje në kuptimin e vërtetë të fjalës”, u shpreh Rama, duke shtuar se ndryshimi real ka nisur tashmë. “Kur ekonomia na krijoi kushte, ju nga janari ju është rritur pensioni. Për çdo janar, do të ketë rritje”.

Kryeministri deklaroi se kjo politikë do të vijojë në mënyrë progresive edhe në vitet në vijim, duke parashikuar rritje më të mëdha çdo vit. “Për janarin e vitit që vjen do të ketë rritje të kësaj rritje. Në 2029 do të kemi katërfishim dhe në 2030 pesëfishim”, tha ai, duke e lidhur këtë me përmirësimin e performancës ekonomike. 

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)