Standardet e BE për sigurinë ushqimore, Rama: Thikë me dy presa për bizneset, sfida më e vështirë për integrimin

Siguria ushqimore mbetet një nga sfidat më të mëdha dhe më komplekse në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me operatorët e biznesit ushqimor.

21.04.2026. 13:45

Ai theksoi se arritja e standardeve europiane në këtë sektor është e pamundur pa mbështetjen dhe ekspertizën e BE-së. “Ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm dijeje që ne duhet ta importojmë nga BE për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve”, u shpreh Rama.

Kryeministri paralajmëroi se për sipërmarrjet ushqimore, e ardhmja do të jetë një “thikë me dy presa”. Nga njëra anë, bizneset që do të përshtaten me kërkesat e BE-së do të përfitojnë mundësi të reja zhvillimi, ndërsa nga ana tjetër, ata që nuk arrijnë të përmbushin standardet rrezikojnë falimentimin.

Rama bëri të ditur se Shqipëria është në negociata me Komisionin Europian për të fituar më shumë kohë në përmbushjen e plotë të këtyre standardeve, por edhe një shtyrje prej pesë vitesh konsiderohet e kufizuar për përgatitjen e sektorit.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte reforma në sistemin e kontrollit dhe inspektimit. Kryeministri kërkoi që të hiqet dorë nga praktika e kontrolleve të befasishme, duke e cilësuar atë si të papërshtatshme. Ai theksoi nevojën për një sistem kontrolli të bazuar në risk, të harmonizuar me standardet e BE-së dhe të monitoruar nga qendra.

Rama nënvizoi rëndësinë e modernizimit të sistemit veterinar dhe laboratorëve, si dhe luftën kundër informalitetit në zinxhirin ushqimor, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për integrimin europian dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)