“Projekti TID i Durrës nuk ndalet”, Rama takon banorët: Dakordësi me 34 familje

Synohet rijetëzimi i Qendrës Historike të Durrësit. Projekti nuk do të ndalet, por do të verifikohen disa banesa që mund të kenë vlera kulturore.

14.02.2026. 13:29

“Projekti TID i Durrës nuk ndalet”, Rama takon banorët: Dakordësi me 34 familje

Pas protestave për projektin TID Durrës, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e qytetit bregdetar. Biseda u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Durrësit, pa praninë e mediave. Pasi doli, kreu i qeverisë njoftuar dakordësinë me 34 familje që e kundërshtonin projektin dhe akuzoi zërat kundër.

“Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve që kanë këtë problematikë, kemi folur rreth 2 orë. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje, që nuk përfaqësojnë as qytetin as qytetarët, por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari të rrjedhur. Krijojnë situata që janë qesharake dhe që tregojnë se ku është katandisur ajo parti”, tha Rama.

Më pas kryeministri u ndal specifikisht te projekti që synon rijetëzimin e Qendrës Historike të Durrësit. Sipas tij, TID nuk do të ndalet, por do të verifikohen disa banesa që mund të kenë vlera kulturore.

“Kemi rënë dakord se si do të shkojmë përpara, qoftë me atë verifikimin e nevojshëm për objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Do të ketë prishje, projekti nuk do të ndalet. Por, do të bëhet verifikim për disa shtëpi që pretendohet se janë trashëgimi kulturore dhe disa banesa që nuk kanë marrë regjistrimin në hipotekë. Diskutuam edhe çështjen e çmimit dhe duhet të shohim referencat e reja”, përfundoi kryeministri.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)