Vince Zampella, një nga figurat më me ndikim në industrinë botërore të videolojërave dhe bashkëkrijuesi i serisë së famshme Call of Duty, ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare pas një aksidenti rrugor në Kaliforni.
Lajmi u konfirmua nga kompania Electronic Arts (EA), e cila zotëron Respawn Entertainment, studioja e videolojërave që Zampella kishte bashkëthemeluar.
Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi të dielën në një autostradë në Los Anxhelos, kur automjeti tip Ferrari me të cilin po udhëtonte doli nga rruga, u përplas me një barrierë betoni dhe më pas u përfshi nga flakët.
Në makinë ndodheshin dy persona dhe, sipas policisë, të dy humbën jetën. Ende nuk është e qartë nëse Zampella ishte duke drejtuar automjetin apo kush ishte pasagjeri tjetër.
Zampella krijoi Call of Duty në vitin 2003 së bashku me bashkëpunëtorët e tij Jason West dhe Grant Collier. Loja, e frymëzuar pjesërisht nga Lufta e Dytë Botërore, u shndërrua në një nga seritë më të suksesshme të të gjitha kohërave, me mbi 500 milionë kopje të shitura në mbarë botën, duke e bërë Activision, tani pjesë e Microsoft, një nga gjigantët më fitimprurës të industrisë.
Përveç Call of Duty, Zampella ishte edhe pas titujve të tjerë shumë të njohur si Medal of Honor, Titanfall dhe Apex Legends. Kolegët dhe kritikët e përshkruajnë atë si një krijues që kishte në qendër përvojën e lojtarit dhe pasionin për lojërat.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)