Departamenti amerikan i Drejtësisë ka deklaruar se ka publikuar të gjitha dokumentet e kërkuara nga ligji për transparencën mbi dosjet e Jeffrey Epstein, por ligjvënës të Kongresit amerikan pretendojnë se publikimi është i paplotë dhe kërkojnë materiale shtesë.
Në një letër drejtuar komisioneve të drejtësisë në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi dhe zëvendësi i saj, Todd Blanche, thanë se departamenti ka bërë publike të gjitha regjistrimet, dokumentet, komunikimet dhe materialet hetimore që lidhen me çështjen Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxëell. Sipas tyre, asnjë dokument nuk është mbajtur i fshehtë për arsye dëmtimi reputacioni apo ndjeshmërie politike.
Megjithatë, kongresmeni republikan nga Kentaki, Thomas Massie, bashkautor i ligjit, deklaroi se Departamenti i Drejtësisë duhet të publikojë edhe memorandume të brendshme dhe email-e që shpjegojnë vendimet për të hetuar ose jo dhe për të ngritur akuza ndaj Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Edhe demokrati nga Kalifornia, Ro Khanna, kërkoi publikimin e plotë të dosjeve, duke akuzuar departamentin se po “ngatërron qëllimisht ujërat” mbi emrat e përfshirë.
Lista e publikuar përfshin figura të njohura si Donald Trump, Bill Gates, Bill Clinton dhe Prince Andrew, të cilët kanë pranuar kontakte të mëparshme me Epstein, por kanë mohuar çdo përfshirje në krimet e tij. Në listë shfaqen edhe emra të personazheve të ndjerë si Janis Joplin dhe Elvis Presley, pa sqarime mbi kontekstin e përmendjes së tyre.
Avokatë të viktimave kanë ngritur shqetësime për redaktime të pamjaftueshme dhe publikim të të dhënave të ndjeshme. Departamenti ka pranuar se disa gabime kanë ndodhur për shkak të “gabimeve teknike ose njerëzore”, por këmbëngul se i ka përmbushur detyrimet ligjore.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)