Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur detaje të reja mbi projektin “Porta e Alpeve”, i cili i shtohet “Paketës së Maleve” dhe synon zhvillimin e turizmit malor në Shqipëri. Sipas Ramës, projekti parashikon një investim prej rreth 100 milionë eurosh, i bashkëfinancuar nga Qeveria shqiptare dhe Banka Europiane e Investimeve, me qëllim forcimin e infrastrukturës dhe rritjen e aksesit në zonat malore të veriut.
Ashtu si e kishte thënë më parë ministri Karakaçi, edhe kryeministri theksoi se “Porta e Alpeve” do të përmirësojë lidhjet mes zonave të veriut, por edhe me pjesën tjetër të vendit, duke krijuar akses të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Në kuadër të projektit parashikohen ndërhyrje në infrastrukturën rrugore dhe transportin, investime në ujësjellës dhe menaxhimin e ujërave të zeza, si dhe zhvillim urban e restaurim të trashëgimisë historike.
“Ajo çka i shtohet Paketës së Maleve si një projekt i quajtur ‘Porta e Alpeve’, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë me një investim masiv prej 100 milionë eurosh për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, me fokus turizmin malor. Patjetër, nuk mund të ishte jashtë projektit edhe kujdesi për të siguruar, për të garantuar gjithë ato pjesë të mrekullueshme të natyrës që duhet të mbeten të paprekshme”, deklaroi Rama.
Gjatë podcastit të tij “Flasim”, kryeministri foli edhe për takimet e fundit në Itali dhe Spanjë, ku u takua me kryeministrat Giorgia Meloni dhe Pedro Sánchez. Rama tha se marrëdhëniet me Italinë janë forcuar ndjeshëm dhe kanë hyrë në një nivel të ri bashkëpunimi strategjik, veçanërisht në fusha si zhvillimi dhe siguria.
Sa i përket vizitës në Spanjë, ai deklaroi se delegacioni shqiptar është pritur me nderim të veçantë edhe nga Dhoma e Tregtisë e Katalonjës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të rritjes së vlerësimit për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Shqipëria sot është kthyer në një destinacion turistik të rëndësishëm për të rinjtë spanjollë dhe marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë në një nivel të ri bashkëpunimi.
“Këtë javë pata luftim me 2 ndalesa, në Romë dhe Barcelonë. Takimi me Melonin në Romë ishte një moment për të bërë një bilanc të ecusisë së punëve tona të përbashkëta. Italia ka qenë gjithmonë pranë Shqipërisë. Pas Romës pata një vizitë në Barcelonë, me ftesë të kryeministrit Sanchez. Dikur Shqipëria në Spanjë lidhej me paragjykime, ndërkohë sot Shqipëria është një destinacion kryesor turistik për të rinjtë spanjollë. Ndërsa marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë në një nivel tjetër. Këto ndalesa nxjerrin në pah qartë se si partnerë seriozë, falë ecurisë dhe transformimit, ne gjendemi në një pikë ku kemi vetëm një rrugë, të ecim me shpejtësi përpara”, deklaroi kryeministri Rama.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)