Një sulm i armatosur ndaj trupave paqeruajtëse të OKB-së në jug të Libanit ka përfunduar tragjikisht me vdekjen e një ushtari francez dhe plagosjen e tre të tjerëve, duke rritur tensionet në rajon vetëm një ditë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit mes Libanit dhe Izraelit.
Sipas autoriteteve, patrulla e misionit UNIFIL u vu nën zjarr gjatë një operacioni në zonën e Ghanduriyah. Ushtari francez u godit drejtpërdrejt dhe, pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, humbi jetën nga plagët. Dy nga të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë.
Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi menjëherë, duke akuzuar Hezbollahun. “Gjithçka tregon se përgjegjësia për këtë sulm i përket Hezbollahut”, ndërsa kërkoi nga autoritetet libaneze arrestimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ministrja franceze e Forcave të Armatosura, Catherine Vautrin, bëri të ditur se ushtarët po përpiqeshin të hapnin një rrugë drejt një posti të izoluar të UNIFIL kur ranë në pritë nga një grup i armatosur.
Vetë UNIFIL konfirmoi se sulmi ishte i qëllimshëm dhe ka nisur një hetim për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për krime lufte. Ndërkohë, kryeministri libanez Nawaf Salam ka urdhëruar hetime të menjëhershme për identifikimin e përgjegjësve.
Nga ana tjetër, Hezbollahu ka mohuar përfshirjen, duke deklaruar se nuk ka lidhje me incidentin dhe duke bërë thirrje për kujdes në nxjerrjen e përfundimeve para përfundimit të hetimeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)