Pas vrasjes së bosit të drogës “El Mencho”, të paktën 26 të vdekur në Meksikë

Janë vrarë 17 pjesëtarë të forcave të rendit, mes viktimave edhe një grua e cila ishte në muajin e tretë të shtatzënisë.

23.02.2026. 16:13

Pas vrasjes së bosit të drogës “El Mencho”, të paktën 26 të vdekur në Meksikë

Të paktën 26 persona kanë humbur jetën në përplasjet e dhunshme që shpërthyen në Meksikë pas vrasjes së bosit të njohur të drogës, Nemesio Rubén Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”. Ai ishte lideri i kartelit më të fuqishëm dhe më të dhunshëm, Jalisco Nueva Generación.

Sipas autoriteteve meksikane, mes viktimave janë 17 pjesëtarë të forcave të rendit. Bëhet fjalë për 15 anëtarë të Gardës Kombëtare, një agjent të Prokurorisë dhe një gardian burgu. Një prej viktimave fatkeqe të trazirave që pushtuan vendin ishte edhe një grua në muajin e tretë të shtatzënisë.

Nga ana tjetër, tetë prej të vrarëve i përkasin grupeve kriminale. Forcat e sigurisë kanë arrestuar 27 persona, 11 prej tyre për përfshirje direkte në aktet e dhunës dhe 14 për grabitje të bizneseve dhe institucioneve bankare gjatë kaosit. Përplasjet janë përqendruar kryesisht në zonat perëndimore të vendit.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar mbështetjen e inteligjencës amerikane në operacionin për kapjen e “El Mencho” dhe ka përgëzuar ushtrinë meksikane për eliminimin e një prej trafikantëve më të kërkuar të drogës. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte vendosur deri në 15 milionë dollarë shpërblim për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)