Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Verbania, në brigjet e liqenit Maggiore në Itali, ku një “shaka” e rrezikshme mes të miturish ka përfunduar me shtrimin në spital të një 16-vjeçari.
Sipas hetimeve, gjatë një feste ditëlindjeje në plazh mes adoleshentësh, një 17-vjeçar i ka ofruar viktimës një gotë me pije të gazuar, duke i thënë se ishte një “pije e mirë”. Pas gllënjkës së parë, i mituri ka kuptuar se brenda lëngut ishte shtuar një substancë e panjohur dhe pak minuta më vonë ka shfaqur shenja të rënda helmimi.
Në panikun që pasoi, disa prej të pranishmëve janë larguar menjëherë, ndërsa disa të tjerë kanë njoftuar urgjencën. 16-vjeçari është transportuar me urgjencë në spital ku mjekët konstatuan helmim të rëndë nga hidrokarburet, pasi ai kishte konsumuar vaj motori të përzier në pije.
Policia italiane ka identifikuar autorin e dyshuar, një 17-vjeçar, i cili është denoncuar për helmim dhe lëndime personale. Hetimet po drejtohen nga prokuroria për të mitur në Torino.
I riu ka pranuar veprimin e tij, duke e cilësuar si “shaka”, por autoritetet theksojnë se ngjarja mund të kishte pasoja fatale dhe po hetohet me seriozitet të lartë. Mjekët fillimisht e kanë liruar pacientin, por më pas kanë kërkuar kontroll të vazhdueshëm për shkak të rrezikut të komplikimeve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)