“Rama ka thyer besimin e partnerëve”, Bardhi: Çështja “Balluku”, test për negociatat

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin se me votën për të mbrojtur Belinda Ballukun kanë dëmtuar procesin e integrimit të vendit.

11.04.2026. 19:29

“Rama ka thyer besimin e partnerëve”, Bardhi: Çështja “Balluku”, test për negociatat

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi edhe njëherë kryeministrin Edi Rama se është ai që po e pengon procesin e integrimit europian të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se vonesat në negociatat për anëtarësim në Bashkimi Europian nuk vijnë si pasojë e opozitës, por sipas tij janë rezultat i vendimeve të qeverisë.

Ai theksoi se vota e mazhorancës në mbështetje të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe kundër hetimeve nga SPAK ka ndikuar negativisht në besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Sipas Bardhit, çështjet që lidhen me Ballukun dhe pretendimet për abuzime, si edhe situata rreth AKSHI, janë kthyer në shqetësime kryesore për vendet anëtare të BE-së.

“Pse nuk u thotë Edi Rama shqiptarëve se 4 shtete anëtare, me shqetësim të shtuar pas votës së tij në mbrojtje të Ballukut, kanë deklaruar se do t’i miratojnë piketat e ndërmjetme, (detyrat që duhen bërë gjatë negociatave), por vetëm me kusht që tek piketat mbyllëse (kriteret finale për të mbyllur një kapitull) të vendosen kushte të përforcuara dhe më të gjera për Shqipërinë?

Besoj që kujtdo i kujtohet qendrimi i Edi Ramës në fushatë se “nuk mund të humbim as edhe një ditë kohë me negociatat, sepse dera e BE-së mund të mbyllet”. Sot, ka vetëm një përgjegjës për vonesën e negociatave: Edi Rama. Sot, ka vetëm 1 të vërtetë për integrimin: Me votën kundër SPAK-ut për rastin “Balluku”, Edi Rama, do t’i kushtojë Shqipërisë jo një ditë e dy, por të paktën 6 muaj vonesë me integrimin”, shkruan Bardhi.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)