Departamenti i Drejtësisë i SHBA ka njoftuar një ndryshim të rëndësishëm në politikat e ekzekutimeve federale, duke propozuar rikthimin e metodave të përdorura më herët, përfshirë pushkatimin me armë zjarri dhe atë me elektroshok.
Masa vjen në kuadër të një politike më të ashpër të administratës së presidentit Donald Trump për zbatimin e dënimit me vdekje.
Sipas një raporti të publikuar nga prokurori Todd Blanche, Byroja e Burgjeve do të përditësojë protokollet e ekzekutimit duke përfshirë metoda që tashmë lejohen në disa shtete amerikane.
Aktualisht, metoda kryesore në SHBA mbetet injeksioni vdekjeprurës, por autoritetet thonë se po përballen me vështirësi në sigurimin e barnave të nevojshme, si pentobarbitali. Për këtë arsye, Departamenti i Drejtësisë synon të ketë alternativa të gatshme në rast mungese.
Raporti thekson se administrata do të vazhdojë të përdorë injeksionin me një substancë të vetme, por po përgatit edhe opsione të tjera për të garantuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Kjo politikë vjen pas heqjes së pezullimit federal për ekzekutimet, i vendosur më herët nga administrata e Joe Biden. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte rikthyer ekzekutimet federale pas një pauze prej gati 20 vitesh.
Aktualisht, në sistemin federal të dënimit me vdekje mbeten vetëm tre të dënuar, pasi 37 të tjerë u falën me ulje dënimi gjatë administratës Biden. Nuk ka ende data të caktuara për ekzekutimet e tyre.
Ndër të dënuarit e njohur janë Dylann Roof, përgjegjës për vrasjen e nëntë personave në një kishë në Charleston, Dzhokhar Tsarnaev, si dhe Robert Bowers.
Autoritetet federale argumentojnë se ndryshimet synojnë të garantojnë zbatimin e dënimeve ligjore edhe nëse një metodë specifike nuk është e disponueshme, por çështja pritet të përballet me sfida ligjore në gjykata.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)